Skënderbeu kualifikohet në turin e tretë

 

Mund dhe duhej ta kishte zgjidhur më mirë ndeshjen e kthimit në Irlandën e Veriut Skënderbeu, por gjithsesi humbja 3-2 ndaj  Krusejdërs nuk ka shkaktuar ndonjë problem të madh, duke pasur parasysh fitoren 4-1 në Korçë.

Në fakt, Skënderbeu ndërlikoi gjithçka me duart e veta, sepse rivali ishte me të vërtetë modest dhe shumë inferior.

Mbrojtësi Arapi doli me karton të kuq në minutën e 11-të, pas një përplasjeje me mbrojtësin kundërshtar Bërns, duke i dhënë zemër skuadrës irlandezo-veriore, që sulmoi me forca të shumta, por me shumë pak saktësi, aq sa rrallë e goditi kuadratin e mbrojtur nga Orges Shehi.

Megjithatë, një gol në fillimin e pjesës së dytë futi në tension korçarët, që u mbrojtën me vendosmëri në minutat në vazhdim dhe në minutën e 69-të me anë të Berishës gjetën golin që ua preu shpresat vendasve.

Më pas, gjithçka u bë më e lehtë për Skënderbeun, që shënoi edhe golin  dytë me Latifin, në një kundërsulm të shpejtë, ndërsa në fundin e takimit korçarët “ia futën gjumit”, duke i dhuruar fitoren Krusejdërsit, që të paktën doli me kokën lart nga Liga e Kampioneve.

Tashmë Skënderbeu bën planet për turin e tretë, ku përballë do të ketë moldavët e Milsamit, një rival mëse i kalueshëm, në rast se evitohen gabimet e bëra në Irlandën e Veriut.

SHKARKO APP