Skepticizëm nga ana e ekspertëve të ekonomisë mbi përfitimet e “Mini-Shengenit”: Nismë e paqartë
‘Minishengeni ballkanik’ për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi më shumë sesa një nismë që do të mund të sjelli rezultate konkrete cilësohet si një formë për të rritur presionin mbi Bashkimin Europian. Në një intervistë për News 24 Preçi thotë se marrëveshje të tilla përsërisin ato ekzistuese. “Ne sot i kemi marrëveshjet funksionale siç është CEFTA por pengesat politike qe nxjerr Serbia persa i takon njohjes se Kosovës e mbajnë atë jashtë zbatimit te kësaj marrëveshje dhe njëkohësisht paguan faturën e supertakses që ka imponuar mbi mallrat Serbe. Une e shikoj si një flluske mediatike si një përpjekje për te rritur presion mbi BE me shume sesa do te sjell ndonjë ndryshim ne terren konkret.”, -theksoi Zef Preçi.
Ndërsa ekonomisti Besart Kadia ngre pikëpyetje për përfitimet që do të ketë vendi ynë nga ky “Mini-Shengen”. Kadia e sheh më tepër këtë si një iniciativë të ndërmarrë nga Serbia.
“Nuk duhet të harrojmë që kanë qenë përpjekje të tjera ndërkombëtare si procesi i Berlinit por dhe marrëveshja e Triestes për të krijuar një bashkëpunim rajonal midis vendeve të Ballkanit ky proces vazhdon akoma dhe diskutimi për ‘Mini-Shengen’ ka ardhur si një axhendë më tepër e iniciuar nga Serbia dhe jo detyrimisht nga vendet e tjera të rajonit ndaj surprizë është e paqartë dhe nuk dihen akoma benefitet dhe përfitimet ekonomike që mund të ketë kjo marrëveshje.”, theksoi Beasart Kadia.
Ekspertët e ekonomisë thonë se janë një sërë marrveshjesh të cilat nuk kanë funksionuar deri më tani dhe sipas tyre qeveria do të duhej të merrej me vënien e tyre në jetë. Zef Preçi përmend linjën e interkonjeksionit Shqiperi-Kosovë ndërsa Besart Kadia thotë se marrëveshjet e bëra publike nuk do të sjellin ndryshime. “Do te kishte qene ne interesin e ekonomisë Shqiptare sikur Kryeministri Rama te zgjidhte problemin e pezullimit të linjës interkonjeksion Shqipëri Kosove qe është bllokuar nga Serbia. Do ishte mire te merreshim me probleme konkrete sesa me propagandë dhe buje”, tha Preçi.
“Në këtë këndvështrim unë nuk shikoj se do të ketë një ndryshim thelbësorë në kahun e lëvizjes së mallrave ku Shqipëria do të përkeqësohet apo Serbia do të përmirësohet sepse edhe lloji i produkteve të Serbisë nuk është shumë herë më i sofistikuar siç ka BE në tërësi dhe nuk shoh ndonjë ndryshim thelbësorë të shkëmbimit të mallrave nuk shikoj fitues apo humbës por shoh përfitues të gjithë rajonit. Së dyti nuk do ketë një shkëmbim të madh midis njerëzve sepse pagat në Serbi, Maqedoni apo Mali I zi janë të ngjashme me Shqipërinë. Të katërta vendet janë zakonisht përfituese të kapitalit të huaj dhe jo ekspertues ndaj dhe këtu nuk ka ndonjë frikë që do të kemi një dyndje të kapitalit të huaj që do përmirësohet nga Serbia drejt Shqipërisë”, pohoi Kadia.
Refuzimi i Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës për të marrë pjesë thotë Preçi dëmton procesin dhe efektiviteti i këtij ‘Minishengeni Ballkanik’ do të varet vetëm nga përfshirja e 6 vendeve të rajonit.
“Përsa kohë që Serbia nuk e ka njohur shtetin e ri të Kosovës kuptohet që përjashtimi i Kosovës nuk i shërben ekonomisë, përjashtimi e dëmton procesin”, tha Preçi.
Liderët e tre vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, u mblodhën të Premten në Tiranë më fokus eliminimin e pengesave për qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Për herë të parë në këtë takim mori pjesë edhe Mali i Zi.