Skualifikimi i 5 kandidatëve për kreun e PD-së, Edith Harxhi sulmon ashpër Bashën: Tregoi se është besëprerë
Edith Harxhi ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi kryesia vendosi të s’kualifikojë nga gara 5 nga 9 emrat që kërkonin të garonin në zgjedhjet e 13 qershorit.
Një akt të rëndë e quan Harxhi këtë vendim të kryesisë, duke ja vënë fajin drejtëpërsëdrejti Lulzim Bashën, për të cilin u shpreh se edhe një herë tregoi se është besëprerë.
Ajo që është më e papranueshme për Harxhin është s’kualifikimi nga gara i Ibsen Elezit, që sipas saj bën pjesë në PD prej vitesh dhe ka kohë që kërkon reformin e selisë blu.
“Përjashtimi nga gara i kandidatëve për Kryetar Partie është akt i rëndë për një Parti të djathtë për të cilën Kryetari i saj aktual ka premtuar disa herë sistem përballje (primaresh), por edhe në këtë rast si në raste të tjera ishte besëprerë. Në veçanti përjashtimi nga gara i Ibsen Elezit njërit prej kandidatëve të Grupit për PD-në, si një nga zërat opozitarë më të paepur në Shqipëri, ish Kryetar i Partisë Demokratike të Kuksit dhe ish-Kryetar i Qarkut të Kuksit, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar, është i pajustifikueshëm dhe i rëndë. Z. Elezi prej disa vitesh kërkon reformimin e thellë të Partisë nga marrja peng e saj nga një njeri i vetëm. Ne do ta vazhdojmë së bashku si grup këtë betejë për reformim pavarësisht pengesave të qëllimshme nga Kryetari aktual,” shkruan Harxhi.
Ditën e sotme kryesia e Partisë Demokratike miratoi si kandidatë për kreun e PD-së vetëm katër emra. Lulzim Bashën, Edith Harxhin, Agron Shehajn dhe Fatbardh Kadillin.
Pesë emra të tjerë u s’kualifikuan. Ata janë Ibsen Elezi, Sabri Hoxha, Admir Muja, Edmond Vrapi dhe Mirjan Jashanllari.