S’ndalen dasmat por as gjobat. 1 milion lekë gjobë administratorit të lokalit

Në këtë situatë, ku dasmat janë të ndaluara (ato që bëhen në lokal me 200 të ftuar), në vend ka çifte dhe pronarë lokalesh që mesa duket nuk kanë dije për Covid-19 dhe masat kufizuese. Policia e Fierit ka ndëshkuar me 1 milion lekë gjobë, administratorin e një restoranti dasme, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19, kanë evidentuar 1 restorant dasme në Fier që ushtronte aktivitet duke organizuar dasma në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar kufizimin e përcaktuar nga Policia e Shtetit.

Për administratorin me iniciale F.V, 63-vjeç, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë. Policia apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.

SHKARKO APP