Socialistët nga e gjithë bota në Tiranë, Veliaj: Do vazhdojmë progresin!
Partia Socialiste po përgatitet për të fituar mandatin e tretë për Bashkinë e Tiranës. Kështu deklaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë takimit me të rinjtë socialistë të ardhur nga e gjithë bota në Tiranë.
“Po përgatitemi për betejën e mandatit të tretë në Tiranë, por patjetër edhe për të vazhduar progresin që kemi nisur. Ne e fillojmë fushatën për zgjedhjet e ardhshme në ditën kur sapo shpallet rezultati i zgjedhjeve të fundit. Kjo është arsyeja pse kemi filluar riorganizimin tonë që vjet sepse besojmë se vetëm një parti, që është në fushatë të vazhdueshme, në mënyrë të pandërprerë, është një parti që mund të ruajë hapin e kohës”, tha Veliaj, i cili është njëherësh edhe drejtuesi politik i PS për qarkun e Tiranës.
Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se PS e merr shumë seriozisht çështjen e të rinjve dhe ajo i ka besuar shumë të rinjve dhe të rejave detyra të rëndësishme përfaqësimi. Ai shtoi se të rinjtë s’mund të trajtohen si ‘garnityrë’ për të duartrokitur liderin në fushatë.“Të rinjtë nuk janë dekor, por për PS ata janë substance”, tha Veliaj.
Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri nënvizoi se PS është shembulli i përfshirjes së të rinjve në qeverisjen e vendit.
“PS është një nga shembujt se si i kemi përfshirë më shumë të rinjtë në qeverisjen e vendit. Qoftë në nivelet më të arta të qeverisjes, qoftë në parti, qoftë në nivelin lokal apo në qeverisjen qendrore. Pse jo për të reflektuar shpirtin që kanë të rinjtë, por dhe shumë nga idetë dhe nevojat që kanë brezat e rinj me qëllim që politika të jetë sa më aktuale për ju Nuk është çështja vetëm e numrave për t’u parë si numra. Por pa të rinjtë, nuk ka një të ardhme një vend. Praktikisht, e ardhmja e një vendi përcaktohet nga ajo çka bën për brezin e sotëm. Nuk jemi ne që t’ju tregojmë se çfarë do të jetë e ardhmja. Kush është ai që e parashikon të ardhmen? Të ardhmen duhet ta parashikoni vetë. Ne duhet t’ju krijojmë kushtet që ju të punoni vetë për të ardhmen tuaj”, tha Gjiknuri.