Sociologu Tushi komenton braktisjen e foshnjës: Mendjelehtësia që dëmton shqiptarët
Ngjarja e braktisjes së foshnjës nga nëna, në bodrumin e një pallati ka rikthyer në vëmendje e të gjithëve rëndësinë e dy institucioneve bazë të shoqërisë, që janë martesa dhe familja. Foshnja e seksit mashkull humbi jetën sot, dhe nëna po ashtu sot u arrestua nga Policia e Shtetit.
“Për fat të keq në shoqërinë shqiptare shumë martesa po bëhen me mendjelehtësi, dhe shumë divorce, po kështu, po bëhen me mendjelehtësi. Mirëpo kostot në çdo rast janë shumë të mëdha, për prindërit, për fëmijët, për shoqërinë gjithashtu.
Padiskutim që rrjetet sociale dhe mundësitë e komunikimit, liberalizimi i seksualitetit, i kanë krijuar kushtet për këtë lloj mendjelehtësie apo erotomanie, që ka filluar të përhapet në shoqërinë shqiptare, duke thënë që unë po dashuroj këtë tjetrin, unë po lidhem me këtë tjetrin, se dashuria është një ndjenjë e lirë etj., etj.
Në qoftë se i ke hyrë një martese, një institucioni që e ke krijuar vetë, do të thotë që duhet të mbash përgjegjësi. Shoqëria shqiptare është në një krizë të thellë dhe kam përshtypjen që kjo krizë do të vijë duke u thelluar”, thotë sociologu Gëzim Tushi.