Soko: OFL, anti-kushtetues, e rrezikshme kur Policia merr atributet e Prokurorisë apo Gjykatës
Operacioni “Forca e Ligjit” është një operacion anti kushtetues, që përvecse dublon ligjin anti-mafia i jep kompetenca Policisë së Shtetit. Kështu mendon eksperti i ekonomisë, Pano Soko, i cili tha në studion e lajmeve në RTV Ora se kjo është shumë e rrezikshme.
Pano Soko: Vetë ligji për KÇK po dublon ligjin anti-mafia. Ne e kemi ligjin anti mafia dhe e kemi shumë të fortë madje. Unë nuk e kuptoj se kush është nevoja për të nxjerrë një ligj tjetër, përveçse për ti dhënë disa atribute të caktuara Policisë së Shtetit, që nuk duhet ti ketë me Kushtetutë. Edhe me një normë demokratike nuk mund ti marrë Policia e Shtetit, është e rrezikshme kur Policia e Shtetit merr atributet e prokurorisë apo dhe të gjykatës. Kjo është një normë demokratike e pranuar. Ishte kohë tjetër ajo kur policia kishte edhe prokurorinë edhe gjykatën dhe bënte çfarë të donte. Në këtë rend që jemi sot policia është e ndarë, gjykata është e ndarë, prokuroria është e ndarë. Tejkalimi i kompetencave sjell dëm.
Sipas Sokos, operacione si ai i OFL nuk janë gjë tjetër përveçse propagandë dhe nuk kanë asnjë efekt tjetër.
Pano Soko: Ne kemi pasur aksioni kundër informaliteti 1,2, 3. Janë bërë 3 aksion. Kemi pasur aksionin Forca e Ligjit, kemi pasur Fundi i Marrëzisë me lojëra te fatit. Të gjitha këto janë veprime spontane që lindin në një moment të caktuar. Ja shkrep kryeministrit. Këto bëhen për propagandë. Kjo është një qeveri forme, nuk është qeveri substancë. Pra Forca e Ligjit, Fundi i Marrëzisë, Duart e Pastra…përdor nga këto emra që godasin subkoshiencën e individëve dhe kaq. Por nuk kanë substancën brenda. Zbatimi i ligjit fillon që në ditën e parë.