Sokol Sadushi: Drejtësia nuk ka nevojë për gjyqtarë të bindur, por për gjyqtarë të drejtë

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka folur para studentëve të Universitetit të Shkodrës lidhur me sistemin e drejtësisë përballë polarizimit.

Në fjalën e tij, Sadushi ka theksuar se “drejtësia nuk ka nevojë për gjyqtarë të bindur, por për gjyqtarë të drejtë”.

Në vijim fjala e plotë e Sokol Sadushit:

Swiss Digital Desktop Reklama

Jam këtu përpara jush jo vetëm për shkak të detyrës që mbaj, por edhe me bindjen që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, se e drejta nuk është thjesht një profesion, por një mision. Dhe ky mision nuk mjafton të shpallet. Ai duhet të provohet çdo ditë, përmes karakterit, përgjegjësisë dhe besnikërisë ndaj së drejtës.
Tema që kam zgjedhur të trajtoj sot – pavarësia e gjyqtarëve, përgjegjshmëria e tyre dhe besimi publik te drejtësia – në librat e së drejtës mund të duket abstrakte, por në jetën e përditshme prek drejtpërdrejt çdo qytetar. Për këtë arsye do të flas hapur, sepse sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për sinqeritet, jo për retorikë, për një gjuhë që nuk i zbukuron problemet, por i pranon dhe i trajton me përgjegjësi.
Kjo ka rëndësi të veçantë, sidomos në kohët që jetojmë, kur shoqëria jonë përballet me një klimë të theksuar polarizimi. Pothuajse çdo çështje e rëndësishme rrezikon të lexohet në mënyrë të ndarë, të ngarkuar dhe të politizuar. Kjo ndodh në jetën publike, në debatet mediatike, në gjuhën politike, në rrjetet sociale, por ndonjëherë edhe në mënyrën si flitet për drejtësinë në mjediset akademike dhe profesionale.
Në një klimë të tillë, drejtësia vihet vazhdimisht në provë, jo vetëm nga presioni i jashtëm, por edhe nga mënyra si perceptohet nga shoqëria. Prandaj tema e sotme nuk është thjesht juridike. Ajo është edhe qytetare, edhe kulturore, edhe morale, sepse në këtë kohë polarizimi pavarësia e drejtësisë, përgjegjshmëria e saj dhe besimi publik bëhen më të brishta, por njëkohësisht edhe më të domosdoshme.

Swiss Digital Mobile Reklama

I. Pavarësia e gjyqtarëve
Le të fillojmë me një të vërtetë themelore: pavarësia e gjyqësorit nuk është një privilegj që i jepet gjyqtarit. Ajo është një garanci që ekziston për hir të qytetarit. Kur një gjyqtar gjykon i lirë nga presionet politike, ekonomike apo shoqërore, ai nuk mbron veten; ai mbron të drejtën tuaj për një gjykim të drejtë. Në fund të ditës, qytetari nuk ka nevojë për një gjyqtar që kujdeset të mos shqetësojë pushtetin; ai ka nevojë për një gjyqtar që kujdeset të zbatojë drejt ligjin.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e sanksionon qartë parimin se gjyqtari gjykon vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. Pavarësia nuk është thjesht një tekst normativ. Ajo është një sjellje, një kulturë, një guxim i përditshëm. Ajo shfaqet në mënyrën si arsyetohet një vendim, si përballohet presioni dhe si refuzohet çdo ndikim i paligjshëm.
Le të jemi të drejtpërdrejtë: pavarësia sot kërcënohet jo vetëm nga presionet e jashtme, nga politika apo biznesi, por edhe nga një rrezik më i heshtur – konformizmi. Ka gjyqtarë që nuk janë nën presion nga askush, por që gjithsesi zgjedhin rrugën e lehtë, zgjedhin vendimin që nuk u krijon probleme, dhe jo vendimin që është i drejtë. Kjo është një formë e heshtur e humbjes së pavarësisë.
Ne kemi nevojë për gjyqtarë që nuk janë konformistë, që kanë guximin intelektual të mbajnë një qëndrim të pavarur kur ligji dhe drejtësia e kërkojnë, edhe kur mbeten në pakicë brenda trupit gjykues. Gjyqtari i pavarur nuk është vetëm ai që nuk merr urdhra, por ai që ruan gjykimin e vet edhe kur kjo kërkon guxim.

II. Sfidat e sistemit të drejtësisë sot
Nuk mund të flas për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë pa i parë ato në kontekstin e realitetit të sotëm. Sistemi ynë i drejtësisë ndodhet në një fazë të vështirë tranzicioni.
Reforma në drejtësi, e nisur në vitin 2016, ishte një hap historik. Procesi i vetingut pastroi sistemin nga gjyqtarë dhe prokurorë që nuk i plotësonin standardet e integritetit. Kjo ishte e nevojshme, por çdo reformë e madhe ka edhe koston e saj. Ne duhet ta pranojmë këtë kosto me ndershmërinë që publiku e meriton, jo duke fshehur pasojat e saj, por duke i parë ato në sy dhe duke kërkuar zgjidhje.
Vakancat e krijuara në sistem nga largimi i një numri të madh gjyqtarësh ka lënë gjykatat me ngarkesë të jashtëzakonshme. Vonesa në drejtësi është sot një nga problemet më të mprehta që has qytetari shqiptar. Ka çështje që presin me vite për të marrë një përgjigje. Ka qytetarë që kanë humbur besimin jo sepse vendimi ishte i padrejtë, por sepse u dha kaq vonë, sa humbi vlerën që duhet të kishte për ta.
Kësaj i shtohet një problem tjetër – paqëndrueshmëria në vendimmarrje. Kur gjykata të ndryshme, apo edhe trupa të ndryshme brenda së njëjtës gjykatë, japin vendime kontradiktore për çështje të ngjashme, qytetari humbet orientimin. Kjo dëmton rëndë sigurinë juridike dhe dobëson besimin te shteti i së drejtës.
Gjykata e Lartë ka një rol vendimtar në këtë drejtim për të njësuar praktikën gjyqësore. Megjithatë, njësimi nuk vjen vetëm nga lart. Ai vjen edhe nga cilësia e gjyqtarit të shkallëve më të ulëta, nga serioziteti i arsyetimit dhe nga një kulturë gjyqësore që e kupton se vendimi nuk është vetëm zgjidhje për palët, por edhe orientim për sistemin.
Në thelb, reforma në drejtësi nuk përfundon me ndryshimin e ligjeve ose me zëvendësimin e njerëzve. Reforma e vërtetë përfundon kur ndryshon mendësia, kur ndryshon kultura institucionale, kur gjyqtari i ri që hyn në sistem sjell me vete jo vetëm diplomën, por edhe ndërgjegjen dhe guximin profesional.

III. Përgjegjshmëria
Pikërisht këtu hyn përgjegjshmëria, si prova më e vërtetë se pavarësia nuk është privilegj, por detyrim në shërbim të publikut.
Pavarësia pa përgjegjshmëri është e rrezikshme. Një gjyqtar që kërkon pavarësi, por nuk jep llogari, rrezikon ta shkëpusë këtë parim nga qëllimi i tij i vërtetë. Në një demokraci, çdo pushtet duhet të ushtrohet me llogaridhënie. Pavarësia e vërtetë nuk matet nga mungesa e kontrollit, por nga aftësia për ta ushtruar pushtetin me ndershmëri, përmbajtje dhe vetëdije kushtetuese.
Përgjegjshmëria e gjyqtarit manifestohet në cilësinë e vendimeve, në arsyetimin juridik, në transparencën procedurale dhe në sjelljen etike. Një vendim që nuk arsyetohet mirë nuk e përmbush plotësisht funksionin e drejtësisë, sepse gjykata nuk bind vetëm duke vendosur, por duke shpjeguar pse vendos ashtu. Dhe sa më i madh është pushteti për të vendosur, aq më i lartë është detyrimi për të shpjeguar.
Procesi i vetingut nxori në pah një të vërtetë themelore: sistemi i drejtësisë nuk mund të funksionojë pa mekanizma realë llogaridhënieje. Ai na mësoi edhe diçka tjetër: llogaridhënia nuk duhet të shfaqet vetëm në momente krize; ajo duhet të jetë pjesë e kulturës së përditshme të drejtësisë, e standardit të punës, e etikës profesionale dhe e marrëdhënies me publikun.
Unë ju them sot, si pedagog dhe si Kryetar i Gjykatës së Lartë, se më shumë se nga çdo kontroll institucional, përgjegjshmëria fillon nga brenda. Fillon nga momenti kur gjyqtari e pyet veten: “A do ta pranoja këtë vendim si qytetar?” Nëse përgjigjja është jo, atëherë diçka nuk shkon.

IV. Besimi publik
Dhe pikërisht nga kjo marrëdhënie midis pavarësisë dhe përgjegjshmërisë lind ose humbet besimi publik te drejtësia.
Besimi publik është kusht i domosdoshëm për funksionimin e drejtësisë. Pa të, vendimet e gjykatave humbasin forcën bindëse, autoriteti i ligjit dobësohet dhe qytetari largohet nga besimi te rruga institucionale e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Kur dobësohet besimi te drejtësia, dobësohet edhe vetë rendi demokratik.
Sot në Shqipëri, besimi në drejtësi mbetet i ulët. Këtë e dimë të gjithë. Sidoqoftë, unë nuk erdha këtu të ankohem. Erdha të them se ky realitet mund të ndryshojë, nëse ne që jemi sot në sistem dimë t’i shohim me ndershmëri dhe përgjegjësi dobësitë e tij, t’i korrigjojmë ato, dhe nëse brezi që vjen zgjedh të mos pajtohet me to, por ta ngrejë sistemin më lart.
Besimi ndërtohet përditë, përmes vendimeve të arsyetuara me kujdes, gjykimeve brenda një kohe të arsyeshme, transparencës dhe dinjitetit institucional. Megjithatë, ai mund të dëmtohet shpejt nga një vendim i paarsyetuar, nga një vonesë e pajustifikuar apo nga një sjellje që cenon respektin që qytetari pret nga drejtësia. Prandaj drejtësia nuk matet vetëm me rezultatin përfundimtar, por edhe me mënyrën se si ajo e trajton qytetarin në çdo hap të procesit.

V. Drejtësia nuk fillon në sallën e gjyqit
Pikërisht për këtë arsye, drejtësia nuk fillon vetëm aty ku jepet një vendim; ajo merr formë shumë më herët, atje ku formohen bindjet, karakteri dhe ndërgjegjja profesionale e juristit. Zanafilla e saj nuk është vetëm salla e gjyqit, por edhe ky auditor, ku nis formimi i juristit.
E drejta mësohet në fakultet, por ndjenja e drejtësisë, kultura e debatit dhe respekti për mendimin ndryshe formohen në jetën e përditshme, në mënyrën si debatoni, si reagoni kur dikush mendon ndryshe dhe si e trajtoni atë që është më i dobët se ju në një diskutim. Juristi i mirë nuk dallohet vetëm nga ajo që di, por edhe nga mënyra si sillet me dijen, me argumentin dhe me kundërshtimin.
Nëse sot, në auditor, nuk pranoni të dëgjoni mendimin e tjetrit, si do të dëgjoni nesër palët, qytetarët apo kolegët në çdo detyrë që do të ushtroni? Nëse sot zgjidhni mosmarrëveshjet me zë të lartë dhe jo me argument, si do të arsyetoni nesër një vendim, një qëndrim ligjor apo një akt që prek të drejtat e të tjerëve? Nëse sot ndiqni shumicën pa e vënë në provë me mendimin tuaj, si do të keni nesër guximin të mbani një qëndrim të pavarur kur e drejta ta kërkojë?
Drejtësia fillon në shoqëri, në familje, në shkollë, në lagje dhe në mënyrën si ne komunikojmë me njëri-tjetrin. Një shoqëri që nuk respekton mendimin ndryshe nuk do të formojë juristë me mendim të pavarur. Një shoqëri që zgjedh konfliktin përpara dialogut nuk mund të ndërtojë institucione drejtësie që funksionojnë me besueshmëri dhe autoritet.
Ju jeni në atë moshë dhe në atë moment kur mënyra si po mësoni të mendoni, të gjykoni dhe të reagoni sot do të formësojë nesër karakterin tuaj profesional. Nëse mësoheni të dëgjoni para se të gjykoni, të arsyetoni para se të reagoni, të mos pranoni gjëra vetëm sepse shumica i pranon, atëherë ju po bëheni gati për të qenë jo thjesht juristë, por shtylla të një shteti të së drejtës.
Antikonformizmi në të drejtën nuk do të thotë rebelim. Do të thotë të mendosh me kokën tënde, të arsyetosh me ndërgjegjen tënde dhe të mos lejosh që rryma e shumicës të të largojë nga ajo që është e drejtë.
Për këta profesionistë ka nevojë Shqipëria: juristë me integritet, që kanë guximin të mbajnë një qëndrim të pavarur edhe kur kjo i vendos përballë shumicës.

VI. Mesazh për ju, studentët e së drejtës
Pikërisht për këtë arsye, mesazhi që dua t’ju lë sot nuk është vetëm të studioni më shumë, por të formoheni më thellë, si juristë dhe si qytetarë. Ajo që po ndaj me ju nuk buron vetëm nga librat, por edhe nga përvoja ime në sistemin e drejtësisë, në mësimdhënie dhe në procesin e reformës në drejtësi.

Së pari, mësoni ligjin, por mos harroni njeriun. Pas çdo çështjeje ka një njeri që pret drejtësi, një familje që pret përgjigje, një qytetar që pret të dëgjohet. Asnjëherë mos e humbni këtë perspektivë, sepse ligji, kur shkëputet nga njeriu, rrezikon të kthehet në formulë. Drejtësia nis pikërisht aty ku juristi arrin të shohë përtej shkresës edhe fatin njerëzor që ajo përfaqëson.

Së dyti, guxoni të jeni të pavarur. Në karrierën tuaj do të hasni presione, nga politika, nga biznesi, nga miqësitë, madje edhe nga vetë sistemi. Mos u lëkundni. Integriteti nuk është një vlerë abstrakte, por prova juaj e përditshme. Ai nuk matet me fjalë të mëdha, por me refuzimet e vogla të përditshme, me kompromiset që nuk pranoni dhe me kufijtë që nuk lejoni të shkelen.

Së treti, pranoni përgjegjshmërinë si fuqi, jo si barrë. Të japësh llogari nuk do të thotë të jesh i dobët; do të thotë të kesh guximin të tregosh se nuk ke asgjë për të fshehur. Në profesionet e drejtësisë, llogaridhënia nuk e zvogëlon autoritetin; ajo e legjitimon atë.

Së katërti, bëhuni zëri i atij qytetari që nuk dëgjohet. Drejtësia u përket të gjithëve, por vlera e saj matet veçanërisht nga mënyra se si ajo mbron ata që janë më të pambrojtur. Roli juaj si juristë është ta bëni ligjin një mburojë për ata që nuk kanë pushtet. Një sistem drejtësie matet jo nga mënyra si sillet me të fuqishmit, por nga mënyra si mbron më të pambrojturit.

Së pesti, gjithçka nis që sot. Mos prisni sallën e gjyqit, zyrën e avokatit apo institucionin ku do të shërbeni për të qenë të drejtë. Jini të drejtë në mënyrën si debatoni, si dëgjoni, si pranoni gabimin dhe si mbroni atë që besoni. Drejtësia nuk është diçka që do ta ushtroni vetëm nesër. Ajo është diçka që mund ta praktikoni që sot. Ajo është kulturë, karakter dhe mënyrë të jetuari, përpara se të bëhet profesion.

Do të përfundoj me një mendim që më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës:Drejtësia nuk është një destinacion. Është një udhëtim i përditshëm që kërkon durimin e dijetarit, guximin e luftëtarit dhe ndërgjegjen e njeriut të mirë.Ne kemi nevojë për gjyqtarë që nuk tremben, për avokatë që nuk shesin parimet, për prokurorë që nuk bëjnë politikë dhe për juristë që e duan ligjin më shumë se pushtetin që ai jep. Kemi nevojë për një brez juristësh që ta kuptojnë se forca e së drejtës nuk qëndron te frika që ajo krijon, por te besimi që ajo ngjall.
Këtë brez shpresojmë dhe besojmë ta shohim tek ju. Nëse ndonjë ditë, njëri prej jush, në ushtrimin e profesionit, do të përballet me një moment kur duhet të zgjedhë ndërmjet të lehtës dhe të drejtës, kujtoni se drejtësia nuk fillon vetëm aty ku merret një vendim, por shumë më herët. Ajo fillon këtu, në këtë auditor, në mënyrën si formohet mendimi, karakteri dhe ndjenja e përgjegjësisë, sepse zgjedhja e drejtë nuk është gjithnjë e lehtë, por është gjithnjë e drejtë.
Shqipëria ka nevojë për ju, dhe po aq edhe drejtësia.
Ju faleminderit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?