Sondazhi i IPR Marketing dhe Ora News:Erion Veliaj fiton Tiranen, Dako mban Bashkinë e Durrësit, në Shkodër fituese Ademi

 

Sondazhi i IPR Marketing dhe Ora News: Veliaj merr Tiranën, Dako mban Durrësin, në Shkodër fiton Ademi

Sondazhi i parë i IPR Marketing dhe Ora News ka publikuar në Tonight Ilva Tare sondazhet e para për zgjedhjet e 21 qershorit për qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës.

Sondazhi është bazuar në shpërndarjen e popullsisë sipas censusit të vitit 2011.

Në Bashkinë e Tiranës janë pyetur 1007 persona, në Durrës 1001 dhe në Shkodër janë pyetur 1003 persona.

Ky sondazh është zhvilluar nga data 7 deri më 11 maj dhe marzhi i gabimit të tij është +/- 3.2%.

Drejtori i IPR Marketing Antonio Noto: “Sondazhi në tre qytetet është kryer midis të enjtes deri mbrëmë në darkë. Metodologjia është e njëjta me atë që kemi përdorur vitet e mëparshme. Është një kampion  për çdo qytet, prej 1000 zgjedhësish që janë ndarë sipas gjinisë, moshës dhe vendbanimit. Sigurisht kësaj radhe kemi mbajtur parasysh dhe faktin që ka ndryshuar dhe ligji , janë futur më shumë komuna. Kur flasim për Tiranën, Durrësin dhe Shkodrën, sondazhi është bërë në të gjithë ish-Komunat që sot bëjnë pjesë në Tiranë. Është sondazh përfaqësues jo vetëm sa i përket popullësisë, por dhe zonave territoriale. Kemi mbajtur parasysh ligjin e ri”.

Rezultatet në studion e  Tonight Ilva Tare u diskutuan sëbashku me panelin e analistëve të ftuar, Anila Basha, Afrim Krasniqi, Lorenc Vangjeli dhe Blendi Çeka.

PS MBETET SËRISH PARTIA MË E MADHE NË VEND, PD PROGRES  NË SHKODËR

Përsa i përket partive, Partia Socialiste nuk duket se ka humbur shumë edhe pas 2 vitesh qeverisje duke mbetur partia më e madhe në vend me një përqindje të konsiderueshme në të tre bashkitë, 31% në Shkodër, 43.5% në Durrës dhe 47% në Tiranë.

Vazhdon me të njëjtin rezultat Partia Demokratike me 36% në Durrës, pa qenë në gjendje të frymëzojë. E njëjta mungesë shprese edhe në Tiranë, me 31% dhe duket sikur e ka marrë pak veten në Shkodër ku merr 47.5% të votave.

LSI është konstante edhe në këto zgjedhje pa ndonjë ndryshim drastik nga dy vite më pare, me rritje të lehtë.

Fryma e Re Demokratike vazhdon të notojë në të njëjtat ujëra si në vitin 2013 me 2% në Tiranë, po ashtu dhe partitë e tjera të vogla të koalicioneve si PDIU dhe PDS nga e majta dhe Partia Republikane nga e djathta.

 TIRANËN E FITON VELIAJ ME 45.5% TE VOTAVE, KUNDREJT  KOSOVËS ME 36.5 %

Në Tiranë i përzgjedhuri i qytetarëve nëse zgjedhjet do të bëheshin sot, do të ishte Erion Veliaj me 45.5% të votave.

Pas tij vjen Halim Kosova me 36.5 % të votave dhe surpriza është Gjergj Bojaxhi, i cili edhe pse është shumë larg qëllimit të tij për të fituar Tiranën, merr 12.5% të votave të qytetarëve të Tiranës.

Pasojnë Sazan Guri me 4% dhe Arben Tafaj me 1.5%.

Partia Demokratike në Tiranë vazhdon të vuajë nivelet e humbjes së vitit 2013 dhe paraqitet në të njëjtën përqindje e ndërsa elektorati që i humbi në vitin 2013 rreth 10% më pak se në 2009, nuk i është kthyer por mund të thuhet se ka shkuar tek Gjergj Bojaxhi, i cili mund të ketë marrë vota edhe nga 15% i koalicionit të majtë.

Erion Veliaj e sheh veten fitues sipas këtij sondazhi të parë, ndërsa votat për të janë më pak se votat për koalicionin e majtë që e mbështet atë.

Koalicioni i majtë kryeson bindshëm në Tiranë me 60% të votave, duke mos reflektuar kosto të qeverisjes 20 muajashe, ndërsa e djathta duhet të kurojë plagët e vitit 2013 pasi vijon të mbetet në kuotën e 35.5% të votave.

Interesante është se Halim Kosova merr sot 1% të votave më shumë se koalicioni që e mbështet.

Mbase Partia Demokratike nuk duhet t’i bëhet pengesë për rrugëtimin e tij drejt karriges së kryetarit të Bashkisë

Nuk mund të thuhet nëse Gjergj Bojaxhi e priste këtë rezultat nga ky sondazh,  por nëse do t’i ruajë këto vota, është në rrugë të mbarë.

12.5% të votave të Tiranë me Bashkinë e re përkthehet në gati rreth 40 mijë vota dhe nëse do abstragojmë, përkthehet në 4 deputetë në qarkun e Tiranës, nëse grupi “Ne Tirana” do të hynte në zgjedhje të përgjithshme.

Edhe ky ndoshta është një mesazh i qartë i votuesve kundrejt partive politike, ose kundrejt gjithë kandidaturave të pavarura që aspirojnë të angazhohen në jetë publike.

Për t’u theksuar është fakti se 21.2% e votuesve nuk kanë vendosur ende se cilin kandidat të votojnë.

 

Kështu që edhe pas diferencës së thellë, jo vetëm Halim Kosova, por edhe Gjergj Bojaxhi ka shpresë që nëpërmjet fushatës së tij të kthejë garën për qytetin e Tiranës, e cila pas këtij fotografimi të votës duket si e mbytur.

GARË E FORTË NË DURRËS, DAKO KRYESON NDAJ DUMËS ME 2% TË VOTAVE

Në Durrës ka garë deri në votën e fundit. Grida Duma edhe pas entuziazmit të kthimit në qytetin e lindjes nuk ka mundur dot që brenda kësaj kohe të kthejë votën në favor të saj.

Vangjush Dako vazhdon të mbetet i preferuari në Durrës edhe pas 2 mandatesh qeverisje ku pritej të kishte më shumë kosto për qeverisjen e tij lokale dhe të problemeve të evidentuara.

Megjithatë diferenca në favor të Vangjush Dakos është pothuajse e pakonsiderueshme.

Ai merr vetëm 51% të votave kundrejt 49% të Grida Dumës, vota që nëse i ruan, i mjaftojnë për t’u shpallur kryetar i Durrësit.

Por rruga që duhet të përshkruajë Dako për ta ruajtur këtë avantazh është tejmase e vështirë, ku i duhet të kalojë edhe nga 25.8% e elektoratit, i cili nuk e ka vendosur akoma se cilin kandidat të votojë.

Kush është maniak i shifrave dhe strategjive zgjedhore, të ulet para televizorit me stilolaps në dorë dhe të shohë Durrësin. Nuk do të zhgënjeheni.

Vangjush Dako gjithashtu merr më pak vota se koalicioni i majtë që e mbështet atë.

Aleanca për Shqipërinë Europiane merr 57% të votave, ndërsa e djathta vetëm 41.5% të votave.

PD MBAN SHKODRËN, ADEMI NË AVANTAZH TË THELLË NDAJ BAZHDARIT

Shkodra duket se pas votës majtas në vitin 2013, do të azhdojë të qeveriset nga e djathta. Voltana Ademi është në avantazh të thellë përballë kandidates së PS, Keti Bazhdari, respektivisht 60% për kandidaten e djathtë dhe 40% për kandidaten e majtë.

Bie në sy që ndryshe nga qytetet e tjera PD ka rekuperuar ndjeshëm elektoratin e humbur në Shkodër. Mbetet për tu analizuar nëse ka ndikuar kandidatja në këtë rritje.

Ndërkohë elektorati që nuk ka vendosur akoma se cilin kandidat do të votojë, është i lartë, 23.6%., por gjërat mund të ndryshojnë gjatë fushatës. Kështu që në Shkodër ka akoma garë edhe për Keti Bazhdarin pavarësisht diferencës së thellë.

Votat për këshilltarë do të jenë sërish të djathta ku koalicioni i djtathtë merr 55% të votave dhe koalicioni i majtë, 43.5%.

Vihet re që Keti Bazhdari si kandidate merr më pak vota se koalicioni që e mbështet dhe kjo mund të shpjegohet me votat e aleatëve si FRD dhe PDIU ku pavarësisht se janë në koalicionin e majtë, mund ta kenë të vështirë të bindin elektoratin e tyre, i cili është kryesisht i djathtë, që të votojnë një kandidat që vjen nga e majta.

Noto: Sondazhi i sotëm fotografim i momentit, mund te ndryshojne rezultatet

“Ka një diferencë të madhe në % që do të shohim pas pak midis votës për kandidatinm dhe votës për koalicionet përkatëse. Duket sikur qytetarët janë më të prirur për të votuar për kandidatin sesa koalicionet e partive. Ky është sondazhi parë, i dyti do jetë në 3 qershor ku do kemi një tjetër matje të orientimit të votës, një tjetër në 16 qershor dhe i fundit do jetë exit-poll-i në 21 qershor ku do kemi dhe rezultatin  më të përafërt të mundshëm. Sondazhi i sotëm është fotografim i këtij momenti, pra përpara se të fillojë zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 21 qershorit.Ç’ka do të thotë se ka ende hapësirë për të ndryshuar përqindjet, rezultatet. Do të jetë ndoshta një rezultat orientues, parathënës por jo ai i vërteti që do të kemi në sondazhet e fundit apo exit-polli i 21 qershorit”.

Saktësia e eksperiencave të zgjedhjeve të 2009 dhe 2013 do të jetë sërish garancia për të mësuar të parët fituesit e bashkive kryesore në vend.

 

SHKARKO APP