Sondazhi: Rreth 40 % nëpunësve thonë se ka shumë korrupsion në administratë

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore si dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (UNDP), organizuan një tryezë të rrumbullakët, e cila bashkoi zyrtarë të Qeverisë, shoqëri civile dhe partnerë ndërkombëtarë në diskutime mbi cështjen e barazisë gjinore, korrupsionit dhe lidhjes mes këtyre të dyjave. Si një vend kandidat për Bashkimin Evropian, dhe nënshkruese e disa konventave ndërkombëtare, Shqipëria është angazhuar për të luftuar korrupsionin si dhe për të nxitur mundësitë e barabarta për gratë dhe burrat, përfshi ngjitjen e shkallëve të shërbimit civil.

Gjatë këtij forumi diskutimi, organizatorët publikuan edhe Anketën: “Gjinia dhe korrupsioni në shërbimin civil shqiptar”. Veç Shqipërisë, ky anketim është kryer edhe në Kosovë, Ukrainë dhe Kazakistan. Nga pyetësorët rezulton se mbi 38% e nëpunësve civilë shqiptarë besojnë se korrupsioni është i përhapur ose shumë i përhapur në shërbimin civil, ku burrat duket se kanë shkallë më të lartë perceptimi të kësaj incidence sesa gratë. Favoritizmi, nepotizmi dhe patronazhi duket se janë format më të hasura të praktikave korruptive. Vetëm 11% e pjesëmarrësve në anketim pohojnë se kanë qenë dëshmitarë të korrupsionit, mirëpo 23% e të pyeturve kanë refuzuar t’i përgjigjen kësaj. Burrave më shumë se grave u është propozuar të përfshihen në praktika korruptive. Shumë prej të anketuarve e shpjegojnë këtë dallim me rolet tradicionale dhe përgjegjësitë e grave apo burrave, me faktin që shoqëria i gjykon moralisht më rëndë gratë që përfshihen në korrupsion, si dhe me njohjet dhe mbështetjen më të madhe sociale dhe politike që gëzojnë burrat. Pjesa më e madhe e atyre nëpunësve që kanë qenë dëshmitarë të korrupsionit, nuk e raportojnë atë, kryesisht pasi korrupsioni është i vështirë të provohet, nuk kanë besim te autoritetet përkatëse ose i tremben hakmarrjes.

Gratë më shumë se sa burrat e shohin pabarazinë gjinore të shfaqet në shërbimin civil. Ato kanë 3 herë më shumë të ngjarë ta ndiejnë pabarazinë gjinore në aksesin/qasjen ndaj të gjithë sektorëve ose niveleve të hierarkisë, se sa burrat. Gratë kanë dyfish të ngjarë ta ndiejnë ndarjen e padrejtë të ngarkesës së punës, përsa i përket kohëzgjatjes së orarit dhe po ashtu dallimet në proceset e ngritjes në përgjegjësi. Mirëpo, hendeku më i madh gjinor vihet re në marrjen pjesë në vendimet publike dhe në hartimin e politikave (22% e grave kundrejt 6% të burrave raportojnë këto lloj pabarazish gjinore), po ashtu edhe në mundësitë e pabarabarta për t’u rritur profesionalisht përmes veprimtarive ndërkombëtare apo shkëmbimeve të përvojave me jashtë (20% e grave kundrejt 4% të burrave shprehen për pabarazi gjinore në këto aspekte).

Diskutimet e Zëvendësministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Zj. Bardhylka Kospiri, të Shefes së Kabinetit të Ministrit për Çështjet Vendore, Zj. Eridana Cano dhe të Drejtores së Administratës Publike, Zj. Albana Koçiu ritheksuan vendosmërinë e Qeverisë për të luftuar korrupsionin, për të nxitur barazinë gjinore si dhe transparencën e profesionalizmin në marrjen në punë, përparimin në karrierë dhe mbajtjen në detyrë në shërbimin civil shqiptar. Drejtorja e UNDP-së për Shqipërinë, Zj. Yesim Oruc Kaya tha se përparimi në drejtim të barazisë gjinore si dhe pjesëmarrja e barabartë e grave dhe burrave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes në shërbimin civil lidhet pozitivisht me nivele më të ulëta korrupsioni, ndaj ajo i inkurajoi pjesëmarrësit që ta shihnin investimin në barazinë gjinore si një plotësues të rëndësishëm dhe efektiv të përpjekjeve të tjera të Qeverisë për të luftuar korrupsionin.

Kjo veprimtari si dhe anketimi vinë si një përpjekje e përbashkët e Nismës Globale të PNUD Kundër Korrupsionit (GAIN), me seli në New York, Zyrës Rajonale të PNUD për Europën dhe Komonuelthin e Shteteve të Pavarura, të vendosur në Stamboll, si dhe Zyrës së Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin në Shqipëri, në kuadër të Programit të Barazisë Gjinore, të mbështetur financiarisht nga Qeveria e Suedisë.

Anketimi u zhvillua me nëpunës civilë të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban e Turizmit.

SHKARKO APP