Sondazhi: Veliaj merr Tiranën, Dako mban Durrësin, Sejdini fiton bindshëm në Elbasan

IPR Marketing dhe Ora News publikuan dje sot në Tonight Ilva Tare sondazhin e dytë për qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Sondazhi është kryer bazuar regjistrimit të popullsisë sipas censusit të vitit 2011. Marzhi i gabimit është ±3.2%. Numri i të pyeturve është 1000 në Elbasan, 1002 në Durrës dhe 1001 në Tiranë. Sondazhi është kryer nga data 28 maj deri më 1 qershor.

TIRANA

Në Tiranë ka 6 kandidatë për këto zgjedhje. Edhe në kryqytet lideri me besueshmërinë më të lartë është Edi Rama me 59.2% të votave. Pas tij renditen Ilir Meta me 47.5%, Lulzim Basha me 28.2% dhe Sali Berisha me 25.3% të votave. Dy liderët e maxhorancës gëzojnë besim të konsiderueshëm në tri qytetet ku ështzhvilluar sondazhi duke marrë kështu mbase edhe një konfirmim për mënyrën e tyre të qeverisjes. Lulzim Basha gëzon në të treja qytetet një mbështetje relativisht të ulët sesa vetë Partia Demokratike, kurse Sali Berisha është në rrugën e tij të daljes nga skena e madhe e politikës së protagonistëve, mbase edhe pas tërheqjes së tij nga kjo fushatë zgjedhore. Ajo që bën përshtypje është se dy liderët e djathtë, Lulzim Basha dhe Sali Berisha sëbashku bëjnë më pak vota se lideri socialist, Edi Rama.

Koalicioni i majtë në Tiranë është rritur me 3% që nga hera e parë e sondazhit të IPR Marketing ku gëzonte mbështetjen e 60% të të pyeturve. Tashmë koalicioni ASHE mbështetet nga 63% e qytetarëve të intervistuar. PS ka një rritje të lehtë nga hera e kaluar, nga 43% në 44%. Po ashtu edhe LSI e cila ka shkuar në 12.5% nga 11% që ishte më 13 Maj.

Partia Demokratike ka një rënie të lehtë me 1% duke marrë mbështetjen e 30.5% të qytetarëve të Tiranës, nga 31.5% që ishte më 13 Maj. Koalicioni i djathtë  po ashtu ka rënie të mbështetësve. Nga 35.5% që ishte më 13 Maj, ka shkuar në 34%.

Erion Veliaj do të fitonte zgjedhjet nëse ato do të mbaheshin sot me një numër votash më të madh se sondazhin e parë. Ai merr 50% të votuesve të Tiranës. Veliaj shënon një rritje të përqindjes nga 45.5% që ishte në sondazhin e parë. Halim Kosova përkundrazi ka shënuar një rënie të mbështetësve në 33.5%. Kujtojmë se në sondazhin e parë, Halim Kosova merrte 35.5% të votave.

Rezultati mbetet surprizues për kandidatin e pavarur Gjergj Bojaxhi, i cili vijon të mbajë ritmin e sondazhit të parë. Pavarësisht se ka një rënie prej 1.5%, ai është në kuotën e 11% të votave, një rezultat që nëse konfirmohet ditën e zgjedhjeve, është spektakolar për një kandidat jashtë siglave kryesore të partive në Shqipëri. Më pas në listë janë Sazan Guri me 3%, Arben Tafaj me 1.5% dhe Dhimitër Muslia me 1%. Të pavendosurit këtë herë janë në shifrën e 17.9%, një shifër që mbetet ende e lartë.

Gara e Tiranës për kryetarin duket se është e mbyllur, në favor të Veliajt, por ka edhe 17 ditë fushatë, që do të thotë se asgjë nuk është e sigurtë. Të presim e të shohim.

Gjithashtu qytetarët e Tiranës i kanë dhënë përgjigje pyetjes së kush do të fitojë në rang republike dhe përgjigjet e tyre kanë qenë: ASHE – 59.2%, APPD – 12.5% dhe Nuk e di -28.3%. Vihet re se koalicioni i djathtë është në minimumin historik të tij, qoftë kjo edhe sipas një perceptimi të qytetarëve të Tiranës shprehur perms sondazheve. E djathta ka një detyrë: T’i rikthehet punës

DURRES

51% me 49% ishte rezultati i Bashkisë së Durrësit në sondazhin e parë të IPR Marketing më 13 Majin e shkuar, duke premtuar kështu një garë të hapur dhe të fortë mes dy kandidatëve , Vangjush Dako i së majtës dhe Grida Duma e së djathtës.

Në këtë sondazh të dytë elektorati durrsak ka ndryshuar dhe ka ndryshuar në favor të Vangjush Dakos.

Kandidati socialist është rritur me 3% duke shkuar në 54% të mbështetësve durrsakë ndërsa Grida Duma ka rënë me 3%, duke marrë 46% të votave. Një rezultat i mirë ky për kandidatin socialist, i cili thuajse nga një garë e barabartë, tashmë e sheh veten me një përqindje më të lartë duke e qetësuar pak nga hera e kaluar, ku performanca e kandidates demorkate kishte çuar garën pothuajse në barazim.

Megjithatë pavarësisht thellimit të diferencës, ky nuk mund të jetë një rezultat dekurajues për Grida Dumën, e cila mund të rekuperojë në të njëjtën mënyrë këtë përqindje deri në 21 Qershor. Të pavendosur për këtë bashki janë 18.1% e elektoratit.  Gara në Durrës mbetet e fortë. Kush mendon se mund ta parashikojë rezultatin, Durrësi ka surpriza për të gjithë ju.

Ashtu si kandidati i majtë, edhe koalicioni i majtë ka një rritje të lehtë prej 1.5%. Më 13 maj ASHE ishte në kuotën e 57%, ndërsa sot është në kuotën e 58.5%.

E kundërta ka ndodhur me koalicionin e djathtë, i cili ka një rënie me 1%. Nga 41.5% ka shkuar në 40.5%.

Rritje kanë shënuar edhe partitë kryesore të maxhorancës, PS dhe LSI, 42.5% dhe 10.5% respektivisht kurse në sondazhin e parë, këto parti kishin 41.5% për PS dhe 9% për LSI.

Partia Demokratike nuk ka ndryshim nga sondazhi i parë pasi ka të njëjtën përqindje mbështetësish prej 36%.

Njësoj si në Elbasan, lideri më i pëlqyer edhe në Durrës, është Edi Rama me 57% të votave. E ndjekin Ilir Meta me 43.3% dhe më pas Lulzim Basha me 32.5%. Përsëri kemi një paraqitje të mirë të liderit të LSI, Meta i cili është lideri i dytë më i pëlqyer i durrsakëve. Lulzim Basha duhet të bëjë akoma më shumë punë me partinë e tij për t’i hyrë në zemër shqiptarëve, megjithëse siç e thamë, koha mund të jetë në favor të tij. Sali Berisha edhe në Durrës gjendet në kuota minimaliste të karrierës së tij me 28.2% të besueshmërisë.

Interesante është edhe një pyetje tjetër e sondazhit ku të anketuarve durrsakë i kërkohet se kush do t’i fitojë zgjedhjet në nivel kombëtar në kuadër të koalicioneve. 54.6% mendojnë se do t’i fitojë koalicioni i majtë ASHE dhe vetëm 16.3% mendojnë se do t’i fitojë koalicioni i djathtë.

ELBASAN

 

IPR Marketing dhe Ora News publikojnë sot sondazhin e dytë për qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Sondazhi është kryer bazuar regjistrimit të popullsisë sipas censusit të vitit 2011. Marzhi i gabimit është ±3.2%. Numri i të pyeturve është 1000 në Elbasan, 1002 në Durrës dhe 1001 në Tiranë. Sondazhi është kryer nga data 28 maj deri më 1 qershor

Bashkia e Elbasanit u përfshi për herë të parë në këtë sondazh pasi nuk ishte në sondazhin e parë të 13 majit. Kandidatët në këtë qytet janë Qazim Sejdini për Aleancën për Shqipërinë Europiane dhe Ardian Turku për Aleancën Popullore për Punë dhe Dinjitet.

Për herë të parë në këtë sondazh është përfshirë dhe pyetja për besueshmërinë e liderëve politikë të forcave kryesore dhe në Elbasan, Kryeministri Rama ka besimin e 57% të qytetarëve. Kjo është një shifër e mirë për Kryeministrin edhe pas reformave të qeverisë së tij, të cilat edhe vetë i ka pranuar si të dhimbshme.

Lideri i dytë me besimin më të madh është Ilir Meta me 44.5% të qytetarëve. Kreu i LSI vjen me një performancë në rritje për çdo zgjedhje që zhvillohen në Shqipëri.

Nuk ka një përqindje të kënaqshme lideri i opozitës, Lulzim Basha, i cili ka marrë pëlqimin e 30% të qytetarëve elbasanas. Koha e tij në drejtimin e PD dhe opozitës është e shkurtër dhe megjithëse besueshmëria për të është jo sic do të donte ai vetë, koha për ta përmirësuar ekziston ende.

Në këtë sondazh është përfshirë edhe lideri historik i të djathtës shqiptare, Sali Berisha, i cili duket se largimi nga skena kryesore politike, ka bërë që shqiptarët ta kenë ulur besimin tek ai. Gëzon 27.2% të besueshmërisë.

Qazim Sejdini do të fitonte zgjedhjet nëse ato do të mbaheshin sot me një rezultat të thellë përballë alternativës së opozitës, ish deputetin Ardian Turku. Sejdini do të merrte 66% të votave të qytetarëve të Elbasanit, ndërsa Ardian Turku 34% të votave. Kjo është një diferencë e thellë në favor të së majtës dhe ndoshta është një rezultat që mund të shuajë edhe kritikat brenda së majtës që vinin kryesisht nga deputetë të këtij qarku. Një rezultat i keq ky për të djathtën e cila mbase duhet të bëjë më shumë për të rritur performancën e saj.

Koalicioni i majtë në Elbasan gëzon rreth 64.5% të elektoratit përballë 32% të koalicionit të djathtë. Gjithashtu edhe kjo diferencë është e konsiderueshme për dy koalicionet duke risjellë edhe njëherë në vëmendje rezultatin e Qershorit 2013. Bie në sy që të dy kandidatët marrin më shumë vota se koalicionet e tyre. Qazim Sejdini me 1.5% më shumë dhe Ardian Turku me 2% më shumë. Të pavendosur për të votuar janë 17,5%.

Pyetjes se kush do ti fitojë zgjedhjet në nivel kombetar, në sondazhin e Elvasanit të anketuarit i janë përgjigjur 57.7% koalicioni i majtë dhe 13.3% koalicioni i djathtë.

vijon…

SHKARKO APP