Sonila Meço: PS kastë, që mbush orët e premtimeve duke rrahur gjoksin dhe zbraz shpresat e shqiptarëve
Nga Sonila Meço –
Një forcë politike, që deklarohet e sigurt në fitore, që shënjestron opozitën si më të dobtën e 30 viteve demokraci, që mëton se nuk ka më të mirë se vetja, që deklaron e sigurt se elektorati voton në shumicë majtas, që ka 7 vite me propagandën më të suksesshme në Ballkan, që ka gjithë pushtetin, lokal e qendror, që ngre flamurin e reformave më të thella të viteve “demokratike”, që ka liderin më të sprovuar në jetëgjatësi pushteti, plot 22 e që “vuan” sot mungesën e një kundërshtari të denjë…pritej të qe me tra hapur ndaj çdo kërkese të opozitës për llojin e listave, sistemit e koalicioneve, duke dëshmuar jo vetëm pjekuri politike në krizën më të thellë soc-politiko-ekonomike, por edhe vetsiguri se nuk i druhet garës. Se nuk zgjedh kleçkat, “spërdredhjet”, “llastimet”, mutacionet, sajesat me lista të hapura me pak mbyllje a të mbyllura me pak hapje…
Kjo shaka pa erza e radhës, që na u servir sot e që nuk i zgjidh asgjë shqiptarit, që do ndryshimin se nuk mban më (qoftë të përfaqësueve të së njëjtës forcë politike, pa a me rotacion), që në drobitjen e ekonomisë dhe izolimit shkakton veç debate për të mbushur orët në sallonet politike të mbrëmjes teksa zbraz orët e jetës së hallemëdhenjve në këtë vend është arsyeja e parë dhe e fundme për të kuptuar kush e si po luan me nervat e shqiptarëve për të qetësuar kastën e privilegjuar. Atë kastë, që mbush orët e premtimeve duke rrahur gjoksin dhe zbraz shpresat e shqiptarëve, “përfaqësuesit e popullit”.