Sonte, ora 18:00 te Kryeministria do dalin edhe prindërit e qytetarët
Të rinjtë e Tiranës nuk tërhiqen. Edhe pse sot Policia e Shtetit ka paralajmëruar se do të ndërhyjë ashpër ndaj kujtdo që do mblidhet jashtë rregullave të masave për Covid-in, por sërish ata nuk ndalen. Protesta e radhës është paralajmëruar për sot pasdite në orën 18:00.
Dhe ndryshe nga herët e tjera gjatë javës së kaluar në marshimin e sotëm mësohet se ata do të shoqërohen edhe nga prindërit e tyre, dhe së bashku me ta pritet të jenë qytetarë të tjerë që do shprehin revoltën e tyre ndaj asaj që po ndodh në Tiranë ku policia sulmon në çdo cep të kryeqytetit banorët e tij.
Prej 3 ditësh, të rinjtë kanë protestuar në disa qytete të Shqipërisë, si shenjë revolte pas vrasjes së 25-vjeçarit nga policia.
Kryesisht në Tiranë, ata janë përplasur me policinë, janë grushtuar e dhunuar me shkopa gome, gaz lotsjellës e ujë me presion nga këta të fundit.
Por të rinjtë e revoltuar nuk janë tërhequr, pasi ata shpërndahen në disa lagje të Tiranës, e më pas rikthehen te Kryeministria apo Drejtoria e Policisë në kryeqytet, ndërsa shumë prej tyre janë shoqëruar në komisariat me forcë.
Uebsajti i ri
Revolta e të rinjve pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga një efektiv policie, ka shkuar deri aty, sa të hapin një ëebsite me emrin ‘unjamklodiani.com.’
Nëse klikon këtë ëebsite, në ballinë të saj lexon thirrjen për protestë sot në orën 18:00.
Pak më poshtë sheh që kërkesat e tyre janë të ikë e gjithë komanda drejtuese në vend, duke nisur nga kryeministri Rama, Ardi Veliu, drejtorë të policisë dhe shefi i ‘Shqiponjave’ Krenar Gjokutaj.
Poshtë secilit prej tyre, nëpërmjet polls, është shtruar pyetja ‘Të ikë?’.