SOT, 21 Janari. Asnjë ndëshkim.Vrasësit të lirë

Dita e 21 Janarit të 4 viteve më parë nisi si një ditë normale dhe u mbyll me bilanc lufte. Demonstrata e opozitës së asaj kohe është ndër më tragjiket në historinë e demokracisë në Shqipëri. Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja janë katër viktimat që humbën jetën të ekzekutuar nga armët e Gardës së Republikës. Gjithçka ndodhi në qendër të kryeqytetit, e filmuar nga kamerat, e parë nga të gjithë, por ende cilësohet një krim i pandëshkuar. Të 4 viktimat dhe më shumë se 7 të plagosur janë një ngjarje që në një vend normal do kishte çuar pas hekurave të gjithë përgjegjësit, sado me pushtet të lartë të ishin. Madje, do kishte rrëzuar dhe qeverinë. Megjithatë, nuk ndodhi kështu. Qeveria, që në atë kohë i justifikoi vrasjet me mbrojtjen e ndërtesave nga protestuesit, e mbylli mandatin e qetë. U largua nga qeverisja me votë protestë edhe për atë çka bëri më 21 Janar 2011, por verdikti i votuesve nuk është i njëjtë me atë që duhet të japë drejtësia.

Pas katër vitesh, për këtë ngjarje, drejtësia ka treguar se është e kapur nga politika, e korruptuar dhe pa fuqi ligjzbatuese përballë krimit shtetëror. Vendimet që janë dhënë për 21 Janarin mbeten fyese jo vetëm për të afërmit e viktimave, por për të gjithë ata persona që 4 vite më parë ishin në shesh duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës. Gjykata e Apelit e ka cilësuar ekzekutimin e 4 personave si vrasje nga pakujdesia. Gjithë ajo çka ndodhi u është faturuar 2 personave me akuza qesharake. Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi është dënuar nga Gjykata e Apelit me 1 vit burg, ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vjet. Që nga viti 2013, Prokuroria ka apeluar çështjen në Gjykatën e Lartë, ku kërkoi dënimin me mbi 20 vite burg për dy personat. Gjykata e Lartë ka hedhur shortin për vazhdimin e gjyqit që më datën 28 tetor 2013, por që nga ajo ditë nuk ka asnjë seancë të vetme të zhvilluar. Kjo është kronika e një vendimi të drejtësisë shqiptare, që dikur fyente qytetarët, ndërsa sot jo vetëm ata, por edhe mazhorancën aktuale. Fyen mazhorancën për shkak të rolit që ajo pati si opozitë më 21 Janar 2011. Ishte Partia Socialiste ajo që organizoi demonstratën, mblodhi njerëzit dhe përfaqësonte kauzën për të cilën protestonin qytetarët. Të vrarët ishin nga radhët e saj. Vrasësit ndodheshin matanë gardhit, kundështarë politikë të veshur me pushtet që përdorën Gardën për të shpëtuar karrigen. Ndaj mungesa e ndëshkimit është fyese për vetë mazhorancën e sotme. Ndëshkimi nuk është hakmarrje, është vetëm drejtësi në një vend normal ku çdokush dënohet kur shkel ligjin dhe aq më shumë, kur krimi u bë nga njerëz të veshur me pushtet.

Në këto vite kemi dëgjuar vetëm deklarata të drejtuesve më të lartë të qeverisë të thonë se “do bëhet drejtësi për 21 Janarin”. Dhe drejtësia ka folur, por ka folur mbrapsht, duke e kualifikuar masakrën si “vrasje nga pakujdesia”. Ndërkohë që të vërtetën e dinë të gjithë se ishte ndryshe. E di ish-kryeministri Sali Berisha, që pak orë pas ngjarjes justifikoi vrasjet duke thënë se Garda garantoi mbrojtjen e institucioneve. Madje u dha dhe shpërblim gardistëve që shkrehën armët. Të vërtetën e dinë dhe deputetët e Partisë Demokratike, të cilët kur viktimat ende nuk ishin varrosur, hodhën akuza monstruoze ndaj tyre dhe ngritën me vrap një komision hetimor për të hetuar, sipas tyre, “grushtin e shtetit”. Dhe në këtë “grusht shteti” ishin Bamir Topi, Ina Rama dhe Edi Rama. Kjo, siç akuzonte PD-ja dhe Berisha. Por kohët kanë ndryshuar dhe në pushtet është PS-ja. Jo për hakmarrje, porse për të vënë në vend drejtësinë. Apo tani janë në pushtet dhe ajo histori duhet harruar nga pak e përditë?!

Ky është përvjetori i dytë i 21 Janarit që Partia Socialiste ndodhet në pushtet. Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e vetmja shenjë e dëshmisë së vrasjeve janë 4 pllaka ngjyrë argjendi gati të padukshme, në vendin ku humbën jetën 4 qytetarë të pafajshëm. Çdo vit është bërë traditë që njerëzit dhe drejtuesit e PS-së të bëjnë homazhe, në kujtim të viktimave dhe të kërkojnë drejtësi. Gjeste dhe deklarata të tilla do të bëhen edhe sot. Por homazhet dhe deklaratat nuk mjaftojnë më. Familjet e viktimave duket se janë lodhur duke kërkuar drejtësi dhe nuk e fshehin se po humbasin shpresën se një ditë do të shohin në burg urdhëruesit e vrasjeve.

Ata, të katërt nuk janë më në këtë botë ku jetojmë. U vranë se dolën për një mënyrë paqësore të protestës dhe për një jetë më të mirë. Dolën, por nuk folën. As nuk ishin në krye të turmës së irrituar për të bërë thirrje për të djegur Kryeministrinë, por kishin zemrën si flamur për një jetë më të paqme e më të begatë. U vranë poshtërsisht, mu në mes të Bulevardit, para Kryeministrisë. Deri më sot, drejtësia e ka vonuar, e ka sakatuar drejtësinë e këtij rasti dhe duket pak si larg gjetja e saj. Ndaj edhe sot, prapë do të thuhet se “duam drejtesi!”, por drejtësia duket se do vonojë! E padrejtë, porse urdhëruesit dhe ata që vranë mund të jenë përballë, në ndonjë lokal në bulevard, duke parë sot njerëzit që përkujtojnë. 

SHKARKO APP