Sot 31-vjetori i “KOHA JONE”. Faleminderit, zoti President, që nuk na dekorove as këtë vit!
Nga Nikoll LESI-
Sot, me 11 Maj, është data e themelimit të “KOHA JONE” si gazetë e parë e pavarur dhe private në Shqipëri, bile edhe ndër trojet shqiptare.
Dihet tashmë nga çdo njeri se “KOHA JONE” mbetet media e vetme ndër këto 31 vite që ka nxjerrë numrin më të madh të gazetarëve, analistëve dhe drejtuesve të medias shqiptare, të cilët sot drejtojnë apo punojnë në pothuaj çdo media në vendin tonë.
Bile edhe në “Zëri i Amerikës” ka “KOHA JONE”!
“KOHA JONE” u rrit mes zjarrit dhe sulmeve të pushtetit të kohës, ndër vitet 1991-1997, aq sa natën 2 mars 1997 krejt redaksia e gazetës u dogj dhe u shkrumbua nga pushteti më i dhunshëm në historinë e vendit tonë, atij të Berishës së I-rë.
“KOHA JONE” ka patur gazetarë, kryeredaktorë, analistë të burgosur apo të sakatuar nga pushteti.
“KOHA JONE” mbetet shkolla e parë praktike, jo teori, por direkt në përballje me pushtetet, investigimin apo gjetjen e lajmit edhe mes skutave të errëta të çdo pushteti që t’i jepej lexuesit shqiptarë.
“KOHA JONE” është akoma mjedisi ku gazetari e ndjen veten pjesë integrale të medias në fjalë e jo të punësuar vetëm për rrogë.
“KOHA JONE” mbush sot 31 vite.
Realisht “KOHA JONE” e meritonte një dekoratë presidenciale, si vlerësim për gjithë ato breza gazetarësh që punuan, që e ngritën, e lartësuan dhe e bënë tribunë të fjalës së lirë e që vrau frikën ndaj pushteteve.
Edhe në respekt të tre shoqatave kryesore të medias në Shqipëri, të cilat kanë bërë me shkrim propozimin pranë presidencës, por me sa duket në zyrat e presidencës nuk kanë më medalje!
Medalja është respekt, është vlerësim, është edhe detyrim ndaj qindra gazetarëve të cilët punuan në “KOHA JONE”.
Por edhe për faktin se kudo, në çdo media të sotme, gjen gazetarë, analistë, drejtues që mbajnë në shpatulla vulën “Made in KOHA JONE”.
Kohët kanë ndryshuar, teknologjia ka evoluar, por pushteti mbetet prapë tabela që duhet shënjestruar që të jetë sa më pranë njerëzve të thjeshtë.
Ndaj “KOHA JONE”, edhe mes lumit të madh mediatik, rri përballë çdo pushteti.
Në foto: Redaksia e KOHA JONE e djegur dhe shkatërruar natën e 2 marsit 1997