Sot afati i fundit për dorëzimin e DIVA-s, paralajmërohen gjoba për vonesat
Data 31 mars 2026 shënon afatin përfundimtar për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA), ndërsa autoritetet tatimore kanë konfirmuar se nuk do të ketë shtyrje të këtij afati ligjor.
Sipas Administrata Tatimore, çdo deklarim i vonuar do të penalizohet me një gjobë vjetore prej 3 mijë lekësh, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, bëri të ditur se deri më 30 mars, rreth 130 mijë tatimpagues kanë dorëzuar deklaratën, ndërsa pritet që numri total të arrijë në rreth 180 mijë.
Kush ka detyrim për dorëzimin e DIVA-s
Sipas sqarimeve zyrtare, detyrimin për plotësimin e deklaratës e kanë:
individët me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë nga punësimi gjatë vitit 2025; personat fizikë dhe juridikë që deklarojnë të ardhura nga biznesi; individët që kanë realizuar të ardhura të patatuara mbi 50 mijë lekë në vit, përfshirë të ardhurat nga qiratë apo platformat online si Airbnb dhe Booking.com; të gjithë të dypunësuarit, pavarësisht nivelit të të ardhurave.
Risi dhe përfitime për vitin 2026
Një nga risitë kryesore këtë vit është unifikimi i afatit të deklarimit për të gjitha deklaratat tatimore vjetore në datën 31 mars.
Gjithashtu, individët mund të përfitojnë lehtësi fiskale për:
shpenzimet e arsimit të fëmijëve deri në 100 mijë lekë në vit; zbritje për fëmijët në ngarkim në masën 48 mijë lekë për çdo fëmijë.
Këto përfitime mund të aplikohen edhe nga individë që nuk e kanë detyrim ligjor plotësimin e deklaratës, nëse kërkojnë rimbursim përmes rillogaritjes së tatimit.
Tatimi dhe kontrollet
Të ardhurat e deklaruara tatohen me normën 15%, ndërsa për rastet kur të ardhurat kalojnë në një fashë më të lartë, aplikohet tatim deri në 23%.
Pas përfundimit të procesit të deklarimit, Administrata Tatimore do të ndërmarrë kontrolle për verifikimin e saktësisë së deklarimeve, duke paralajmëruar masa për ata që nuk kanë raportuar korrektësisht të ardhurat.
Rimbursimi dhe afatet
Kërkesat për rimbursim apo kompensim dorëzohen përmes platformës e-Tax dhe mund të bëhen brenda një periudhe deri në 5 vite. Administrata tatimore ka një afat deri në 2 muaj për shqyrtimin dhe kthimin e shumave të mbipaguara.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë afatin e sotëm për të shmangur penalitetet dhe për të përfituar nga lehtësitë fiskale të parashikuara.
KOHA JONË SONDAZH

