Sot fitojmë në Armeni !

 
 
 
Ekipit të kombëtares shqiptare i duhet sot në Armeni vetëm një rezultat që të kualifikohemi direkt për në kampionatin europian që zhvillohet vitin e ardhshëm në Francë, pra vetëm fitorja. Armenëve nuk iu hyn në punë as fitorja e as barazimi. Trajneri i kombëtares së Armenisë, Sargis Hovsepian, në prag të ndeshjes ndaj Shqipërisë ka deklaruar mbrëmë se “nuk luhet nderi i tyre. E rëndësishme është që të bëjnë një lojë të mirë”- tha ai duke kërkuar që të shmangen fjalët pompoze-“Nuk duhet ta cilësojmë ndeshjen ndaj Shqipërisë si ndeshjen e nderit. Ky është sporti dhe nëse ekipi humb, nuk do të thotë se lojtarët nuk kanë luajtur për nder. Por ne do të bëjmë çdo gjë për të fituar në stadiumin tonë”, tha trajneri. Lajmi i mirë është që trajneri armen tha se ekipi ka disa lojtarë të dëmtuar dhe disa të tjerë jashtë forme. Kurse në konferencën për mediat, pak pasi zbriti në Jerevan, trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi u shpreh optimist për arritjen e objektivit; kualifikimin direkt për në Euro 2016.
“Shpresojmë që kualifikimin ta arrijmë në Armeni dhe me shumë mundësi do ta bëjmë këtë. Do të ishte gjë e bukur të festonim në Armeni”, tha trajneri kuqezi.
Tekniku italian i kombëtares shqiptare shprehu keqardhjen që një gjë e tillë nuk u realizua në “Elbasan Arena” në ndeshjen kundër Serbisë.
Duhet me çdo kusht fitorja sot në Armeninë në mënyrë që të mos përfundojmë në playoff nën “thikat” e një prej ekipeve të mëdha europiane si Krocia, Hollanda, Hungaria, Irlanda, Suedi, Ukrahinë, Sllovenia. Pra janë ekipe shumë të forta në playoff, ndaj gjithçka luhet sot në Armeni.Motivimi i ekipit, sipas korrespodentit tonë në Armeni që ndjek skuadrën në këtë të dielë historike për Shqipërinë, është maksimal dhe trajneri i kombëtares shqiptare do të ketë skemë tjetër ndryshe nga paraqitja me Serbinë në Tiranë.
Kombëtarja shqiptare ka mbërritur pasditen e djeshme në Yerevan, ku do të luajë ndeshjen e fundit për Eliminatoret e Euro 2016, atë me Armeninë, ndeshja e cila do të luhet  në orën 18:00.
Udhëtimi nga Tirana për në Yerevan ka zgjatur rreth 4 orë.Ndeshja me Armeninë është vendimtare për kombëtaren shqiptarë nëse do të kualifikohet ose jo në Europianin 2016 që do të luhet në Francë.
 “Kur u hodh shorti, po të thaja që luajmë për kualifikim do më merrnit për të çmendur. Situata ku jemi tani është një mrekulli dhe duhet ta përdorim. Nuk jemi të sigurt për asgjë por i dimë aftësitë tona. Ne duam ta fitojmë ndeshjen dhe të gëzojmë tifozët. Humbën disa pikë në dy ndeshjet e fundit dhe tani jemi të tretët. Duhet të jemi të kujdesshëm që mos pësojmë gola në minutat e fundit.”, u shpreh De Biasi, kurse Lorik Cana u shpreh se” Ne po luajmë ndeshjen që vendos fatin e çdo shqiptari”. Ndërsa më konciz ishte Presidenti i FSHF, Armando Duka. Ai tha shkurt se kjo është ndeshje shumë e vështirë por uroj që ta mbyllim me Armeninë”.
Nuk ka më asnjë kalkulim, fitorja në Armeni përkthehet në lejekalimin për në Francë. Trajneri Gianni de Biasi pritet që të bëjë disa ndryshime në krahasim me përballjen ndaj serbëve, ku i pari është një ndryshim i detyruar pasi Ansi Agolli nuk do të jetë pjesë e kësaj sfide për shkak pezullimi, në vendin e tij mund të aktivizohet Hysaj, pasi për fat të keq mbrojtësi tjetër i krahut të majtë Naser Aliji nuk është në gjëndje perfekte fizike për arsye dëmtimi, ndërsa Lila mund të sistemohet në të djathtë të repartit difensiv.Ndërkohë që pritet aktivizimi nga fillimi i Shkëlzen Gashit dhe Sokol Cikalleshit, i pari në të djathtë të mesfushës dhe i dyti në majën e sulmit.
Pra formacioni titullar që mund të zbresë në fushë në Yerevan nën skemën taktike 4-4-1-1 do të jetë i përbërë nga Etrit Berisha në portë, Lila, Cana, Gjimshiti dhe Hysaj në mbrojtje, Gashi, Migjen Basha, Xhaka dhe Lenjanin në repartin e mesit të fushës me Memushajn pas krahëve të Sokol Cikalleshit. Në këtë rreshtim paraprak dallohet që është i njëjti modul si ai i përdorur me Serbinë, por me aktorë të ndryshëm.
Gjithsesi në përballje të tilla rëndësi më shumë se sa rreshtimi taktik ka grinta dhe etja për sukses e lojtarëve kuqezi, nëse këto dy elementë janë në nivelet e duhura, atëhere “Harku i triumfit” është më pranë se kurrë.
 
Sot o kurrë djema të kombëtares për Ju dhe gjithë ne shqiptarët!

SHKARKO APP