Sot hapen edhe lokalet, lejohen stërvitjet sportive, mbi 2 të ftuar në studiot televizive!

Nga sot nis hapja e bareve dhe restoranteve që qëndronin të mbyllura për më shumë se dy muaj për shkak të pandemisë.

Nën rregullat strikte, baret dhe restorantet do të duhet të respektojnë distancimin prej 2 metrash nga tavolina në tavolinë, duhen siguruar dezinfektues në hyrje të bareve për klientët si dhe një higjienë e mirë për vetë personelin e shërbimit që duhet të jetë i pajisur me maska e doreza.

Hapja e këtyre bareve do të jetë vetëm për pjesën e jashtme të tyre, pasi pjesa e brendshme nuk do të lejohet të funksionojë, në të kundër do të gjobiten. Sa i takon dezinfektimit të ambienteve të bareve dhe restoranteve, ky proces parashikohet të kryhet 2 herë në ditë.

Po ashtu me zgjatjen e fashës së orarit në zonat e kuqe deri në orën 21:00 dhe eliminimin e tij në zonat e gjelbra, zgjidhet dhe një nga problemet që pronarët e bareve e restoranteve ngritën se nuk mund të punonin deri në 17:30 në orarin zyrtar të punës, pasi nuk do të kishin klientë.

Hapja graduale prek edhe Muzetë, sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Të gjithë muzetë publikë, monumentet, si dhe sitet arkeologjike do të jenë të hapura.

Përfitim kanë edhe klubet e futbollit ku tashmë do të lejohet stërvitja në grup dhe jo në mënyrë individuale. Ministria e Shëndetësisë i lejon klubet të rifillojnë stërvitjet por vetëm në ambiente të hapura, të cilat do të zhvillohen sipas protokollit të sigurisë të miratuar nga ISHP dhe do të inspektohen nga përfaqësues të këtij institucioni.

Rregullat e reja kanë prekur dhe televizion, ku tashmë në studio mund të ftosh më shumë se dy të ftuar, por duhet respektuar distanca prej 2 metrash.

Lehtësime janë bërë edhe në qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve. Në zonat e gjelbra nuk do të ketë më fashë orari, ndërsa në zonat e kuqe, përkatësisht Tiranë, Durrës, Krujë, Shkodër dhe Kurbin zgjatet fasha e orarit deri në orën 21:00.

Nga sot Fieri kthehet në zonë të gjelbër. Në lidhje me lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve nuk do të duhet më një autorizim në të gjithë vendin, por nuk do të lejohet kalimi nga zona e kuqe në atë të gjelbër dhe e kundërta.

Të vetmet që vijojnë të jenë të mbyllura janë transporti publik, aktivitete sportive dhe kulturore, dhe kufijtë tokësor dhe ajrorë për lëvizjen e qytetarëve.

SHKARKO APP