Sot mbi 33 mijë maturantë i nënshtrohen provimit në lëndën e Matematikës

Mbi 33 mijë maturantë në të gjithë vendin do i nënshtrohen sot provimit të tretë të Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës.

Provimi nis në orën 10:00 dhe mbyllet në orën 12:30, pra nxënësit kanë në dispozicion për të plotësuar të gjitha pyetjet 2 orë e 30 minuta. Përpara se të futen në provim nxënësit duhet të paraqiten në qendrën e testimit, 1 orë e 30 minuta para dhe me mjet identifikues me vete si dhe mjetet shkollore të nevojshme.

Në disa shkolla janë vendosur bllokues valësh në mënyrë që të shmangej kopja me telefon si dhe kishte dedektorë në hyrje për të zbuluar çdo aparat që mund të tentojnë të fusnin nxënësit.

Testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim. Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.

Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit. Vlerësimet e testeve do të bëhen brenda një kohe shumë të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë diplomat në duar në ditët e para të korrikut. Për të siguruar mbarëvajtjen e provimeve janë vendosur në dispozicion rreth 167 qendra testimi dhe 7 mijë mësues administrues.

SHKARKO APP