Sot mblidhet komiteti teknik. Po shkojmë drejt një mbyllje në fundjavë?
Në Shqipëri janë 18 mijë persona aktivë me Covid-19. Komiteti teknik i ekspertëve për përballimin e pandemisë, do të mblidhet këtë të mërkurë, për të diskutuar rreth masave të reja shtrënguese që parashikohet të merren. Ekspertët pritet të sugjerojnë një mbyllje të aktiviteteve dhe lëvizjeve jo të domosdoshme gjatë fundjavës.
Ndalimi i qarkullimit pas orës 22:00, është një tjetër masë shtrënguese që do të vijojë të qëndrojë në fuqi. Këto masa të reja pritet të merren, pasi muaji dhjetor është parashikuar se do të jetë edhe më i vështirë.
Një nga treguesit kryesorë të përkeqësimit të situatës janë spitalet, dedikuar rasteve të rënda me koronavirus. Në tri spitalet Covid janë të shtruar 490 pacientë, ndërkohë ministria e Shëndetësisë ka vënë në zbatim skenarin e radhës, duke hapur edhe spitalin Covid 4.
Më të prekurit nga virusi janë 65-70-vjeçarët, grupmosha që ka pasur edhe më shumë humbje jete. Nga fillimi i epidemisë, mbi 810 persona nuk kanë mundur t’i mbijetojnë sëmundjes.