Sot Pika Kufitare e Kakavijës pjesërisht e mbyllur, këto janë kategoritë që do lejohen të kalojnë

Nga sot për një afat 24 orë, pika e kalimit kufitar të Kakavijës do të qëndrojë e mbyllur, kjo për shkak se punonjësit e palës greke do të zhvillojnë një grevë, pasi kërkojnë rritje page, pagesën e orëve shtesë si edhe plotësim të kushteve të punës.

Kakavija do të jetë e mbyllur nga sot, 24 nëntor duke nisur nga ora 07:00 deri më 25 nëntor 07:00 me orën lokale të Greqisë. Në këtë hark kohor nuk do të lejohen të kalojnë automjete si motoçikleta, autovetura, furgonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.

Përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla dhe automjetet për raste emergjente shëndetësore apo raste vdekjesh.

Kjo grevë është një paralajmërim nga ana e punonjësve, që nëse nuk plotësohen kërkesat, greva do të përshkallëzohet. Kakavija ishte pika e vetme e kalimit kufitar që është e hapur me Greqinë, si një masë parandaluese për të frenuar përhapjen e COVID-19. Ajo do të jetë e mbyllur vetëm ditën e sotme, ndërsa nga mëngjesi i ditës së nesërme do të hapet sërish.

SHKARKO APP