Sot protestë, Erl Murati: Rama e mbyll karrierën si inatçi
”Pritshmëria e lartë e protestës lidhet kryesisht me faktin që ajo zhvillohet në sfondin e një pakënaqësie popullore në rritje, e cila nuk është e vështirë të konstatohet”. Kështu e komenton gazetari Erl Murati, protestën që do të organizohet ditën e sotme, në orën 11:00, në Tiranë. Në intervistën për gazetën ”Mapo”, Murati thekson se suksesi i protestës dhe arritja e synimit për një Qeveri tranzitore do të varet nga vendosmëria e popullit për ta arritur këtë.
“Sipas sinjaleve paraprake, kjo protestë po projektohet “më e fortë” dhe ndoshta më e dhunshme se pararendëset. Megjithatë, forma ka pak apo fare rëndësi: suksesi i protestës matet me rezultatin e saj. Protesta e banorëve të Unazës së Re, e mpiu qeverinë dhe duket se e detyroi atë të pezullojë përkohësisht prishjet masive të shtëpive në atë zonë. Protesta e studentëve – pavarësisht se shumëkush thotë se dështoi – ia arriti pjesërisht qëllimit: tarifat u përgjysmuan dhe kjo, për studentët e popullit më të varfër të Europës, nuk është pak. Krerët e opozitës kanë deklaruar se qëllimi i protestës së 16 shkurtit është arritja e një qeverie tranzitore e cila do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme. Suksesi i saj, do të varet nga vendosmëria e popullit për ta arritur këtë, jo thjesht në 2 orët e para të protestës, por dhe ditët e javët në vazhdim. Ndaj, do të duhet të kalojë pak kohë derisa të vlerësohet nëse 16 shkurti ishte apo jo, një protestë e suksesshme”, shprehet ai.
Erl Murati flet edhe për mënyrën sesi do të mbyllet karriera e kryeministrit Edi Rama. ”Edi Rama është njeriu i cili kërkoi të merrte mandatin e katërt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndaj nuk hyn tek ata njerëz të themi, që s’e josh apo s’i intereson pushteti. Karriera e tij do mbyllet si karriera e një njeriu inatçi, i cili pasi ka dështuar të marrë mandatin e radhës nga populli, shfryn e i thotë vetes ”ata nuk më meritojnë”’, thotë ai.
KOHA JONË SONDAZH

