Sot provimi i dytë i Maturës, do të testohen në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi rreth 30 mijë nxënës

Maturantët do të zhvillojnë ditën e sotme provimin e Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë. Provimi do zhvillohet në korridoret e shkollave apo në palestra dhe i gjithë testimi do monitorohet me kamera për të eliminuar kopjimet apo dhe përdorimin e telefonave gjatë testit.

Provimi i gjuhë-letërsisë nis në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta.

Për administrimin e provimeve janë angazhuar mbi 7800 mësues. Në provim janë të përfshira të gjithë nivelet e vështirësisë dhe për herë të parë këtë vit do të ketë një test të veçantë për nxënësit me aftësi ndryshe. Një tjetër risi e maturës do të jetë heqja e fletëpërgjigjeve të provimeve, një kërkesë kjo e maturantëve dhe mësuesve pasi shkaktonte konfuzion te maturantët dhe ngatërresa në korrigjime.

Po ashtu, ndryshe nga vite me parë, kësaj radhe nëse maturanti do të ketë kontestim për notën mund të bëjë ankim dhe të bëhet rivlerësim i testit. Pra, nëse maturanti merr vlerësimin e testit në e-Albania dhe konstaton që ka një problematikë fillimisht do t’i drejtohet shkollës ku ai ka studiuar. Pas ankimit, do të ngrihet një komision i ngritur nga drejtori i shkollës dhe dy mësues të lëndës, të cilët do e vlerësojnë testin dhe pyetjen ku ka kontestime dhe nëse ata vërtetojnë se ka problematikë, testi do t’i dërgohet Qendrës së Shërbimeve Arsimore ankimimi, e firmosur dhe e vulosur nga shkolla me bar kod do të bëhet edhe rivlerësimi i testit.

Pas provimit të gjuhës shqipe maturantët do t’i nënshtrohen provimit të Matematikës më 13 Qershor dhe provimit të lëndës më zgjedhje më 19 qershor.

SHKARKO APP