Sot provimi i matematikës për maturën shtetërore! Pas testimit sërish në protestë
Rreth 32 mijë maturantë do të ulen në bankat e shkollës për zhvilluar testin e matematikës, për të testuar njohuritë e marra në këtë lëndë përgjatë këtyre 3 viteve. Provimi nuk do të zgjasë 2 orë, siç ndodhi me Letërsinë, por 2 orë e 30 minuta, duke u plotësuar kështu një nga kërkesat e maturantëve.
Menjëherë, pas përfundimit të provimit, ata kanë paralajmëruar protestë, ku kërkojnë rivlerësimin e provimit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, pasi sipas tyre testi ka pasur shumë pasaktës dhe pyetjet ishin të formuluara gabim, që më shumë se testonin njohuritë i kanë ngatërruar ata. Pyetja që ngjalli më shumë pakënaqësi e që bëri që maturantët të ngriheshin në protestë ishte pyetja e famshme “Çfarë bëri Turi”, por edhe përfshirja e shkrimtarit Lasgush Poradeci, i cilësuar prej tyre si shumë filozofik dhe i vështirë për brezin e tyre.
Por në një kohë që maturantët protestojnë prej 3 ditësh, ministrja Besa Shahini i ka cilësuar këto si protestat të stër-politizuara, e ndërsa duke u ndalur tek përmbajtja e testit, ajo tha se nuk kishin qëllim që të testonin vetëm njohuritë, por edhe aftësitë për t’i vënë ato në jetë.
Ndërkohë me 18 qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimit të fundit të lëndës me zgjedhje.