Sot shpallen listat, Balliu vazhdon përballjen në gjykatë: Presione të shëmtuara nuk do të kenë fuqi të ndryshojnë votën
Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu bëri paraqitjen e rradhës para Gjykatës së Tiranës lidhur me gjyqin për protestat e banorëve të Unazës së Re.
Sipas tij, politika po përfshihet në çështjet e drejtësisë dhe ky është një presion politik për t’i mbajtur sot banorët e unazës nën një presion të vazhdueshëm sepse janë dhe zgjedhjet në datën 25 prill.
“Ne kemi kërkuar bashkimin e çështjeve dhe të bëhet një gjyq sepse bëhet fjalë për një akuzë. Qëllimisht ata nuk kanë pranuar, ndërkohë që disa prokurorëve i kanë dhënë për disa ditë, për disa çështje dhe e përfaqëson një prokuror. Nuk e kuptoj pse nuk e bën prokuroria që të gjitha çështjet, për të gjithë banorët e unazës të bashkohen dhe të bëhet një gjyq.
Arsyeja është e qartë: është një presion politik për t’i mbajtur sot banorët e unazës nën një presion të vazhdueshëm sepse janë dhe zgjedhjet në datën 25 prill. Patjetër që lojëra të tilla, meskine të shëmtuara nuk do të kenë asnjë fuqi për të ndryshuar votën që do të marrin vota për ndryshim me anë të qytetarëve për t’iu bashkuar forcës politike e cila ka denoncuar këtë aferë, Partia Demokratike është ajo parti e cila ka mbështetur jo vetëm banorët e unazës, po të gjithë qytetarët që kanë qenë duke u përballur me afera korruptive për shkak të qeverisë.
Në vend që të arrestohen dhe të futen nëpër burgje ata që vjedhin, këtu arrestohen ata që vidhen. Është pikërisht kjo një arsye më shumë pse Partia Socialiste do të marrë një ndëshkim që nuk mund ta imagjinojnë kurrë. Do të jetë ndëshkim që do t’i vijë nga vota e qytetarëve,” shprehet ai.