Sot vendimi për Arta Markun. Vëzhguesi i ONM: Jam i zhgënjyer, të mos japë vetëm urdhra
Në sitën e Vetting-ut po kalon Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku, e cila duhej të dilte të martën përpara komisionit, por në sallë u përfaqësua nga avokatja Lirime Çukaj. Komisioni i Pavarur Kualifikues, me trup gjykuese të përbërë nga Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu, pritet të vlerësojë aftësitë profesionale dhe të figurës, si dhe pasurinë e kreut të organit të akuzës, ndërsa vendimi do të jepet sot në orën 10:00.
Kryesuesja e trupës së KPK-së, Suela Zhegu është shprehur gjatë seancës se Marku i është nënshtruar procesit të Vetting-ut me përparësi. Sa i përket vlerësimit të pasurisë, ILDKPKI-ja ka dorëzuar raportin me konstatimin se deklarimi i Arta Markut është i saktë, duke mos kryer fshehje pasurie. Edhe hetimi i thelluar, sipas Zhegut konstatoi vërtetësinë e këtyre gjetjeve. Kryeprokurorja e Përkohshme zotëron dy apartamente banimi në Shkodër, një prej 103 metrash katrorë me vlerë 5 mln lekë dhe një tjetër prej 66 metrash katrorë, ndërsa ka në proces legalizimi një shtesë prej 9 metrash katrorë.
Në lidhje me aftësitë profesionale, shtetasi A.P. është ankuar sepse Arta Marku ka kërkuar “arrest me burg” për të, për akuzën e drejtimit të parregullt të mjetit. KPK-ja, referuar edhe vendimeve të Gjykatës Europiane, duhej të arsyetonte se përse kërkoi këtë masë ekstreme si arresti me burg. Ndaj Markut pati dy denoncime në KPK, por pas shpjegimeve dhe verifikimeve është konstatuar se hetimet e Kryeprokurores ndaj dy shtetasve denoncues ishin të drejta. E pyetur nga Genta Tafa nëse kishte një arsye të qenësishme për mungesën e Arta Markut, pasi e konsideronte si prestigj praninë e saj, avokatja i është përgjigjur se nuk ka asnjë arsye. Përfaqësuesi i ONM, Teo Jacobs foli për masën e sigurisë që Marku kërkoi ndaj shtetasit A.B. Sipas tij, Marku ka vite që është kryeprokurore ndaj di ta bëjë dallimin ndëmjet kriminelit dhe shkelësit të ligjit. Ai tha se Marku duhet ta mendojë dy herë përpara se të japë masën “arrest me burg”. Avokatja e Kryeprokurores, Lirime Çukaje justifikoi se kjo ishte vetëm një kërkesë e prokurorisë dhe vendimi do merrej nga Gjykata.
Mungesa e Arta Markut në seancën dëgjimore ka ngjallur pakënaqësi nga përfaqësuesi i Jacobs, por edhe trupi gjykues, pasi ajo nuk u paraqitur për të marrë në dorëzim materialet e dosjes. Jacobs u shpreh se mungesa e saj nuk ishte shenjë e mirë. Seancën e Kryeprokurores shqiptare, për herë të parë e ndoqën edhe mediat e huaja. Mesazhi më i rëndësishëm iu dha Arta Markut nga vëzhguesi ndërkombëtar, i cili i thotë Arta Markut se duhet të përçojë frymë tolerante tek vartësit në lidhje me masat e sigurimit arrest me burg. Për të ilustruar këtë pikëpamje, Teo Jacobs theksoi se 44% e të paraburgosurve janë me arrest me burg.
Megjithëse zonja Marku mungonte, Teo Jacobs theksoi se përpara se të urdhëronte, Arta Marku duhet t’u tregojë vartësve se nuk kërkohet burg për çdo vepër. Në rast se KPK e konfirmon në detyrë Arta Markun, asaj i lind e drejta për tu zgjedhur si drejtuese e organit të akuzës me një mandat të plotë 7-vjeçar sipas ligjeve të reja të reformës në drejtësi. Arta Marku u emërua më 18 dhjetor 2017 nga Kuvendi në krye të prokurorisë së Përgjithshme duke zënë postin e Adriatik Llallës të cilit i kishte përfunduar mandati. Ajo u zgjodh me 69 vota, 2 votuan kunder dy abstenim.
PD: Sistemi i Vetting-ut është i korruptuar. Arta Marku të largohet
Institucionet e Vetting-ut kanë nisur verifikimet për Prokuroren e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Vetë kryeprokurorja nuk ishte e pranishme në seancën ku do të kontrollohej pasuria dhe puna e saj gjatë viteve. Ndërkohë, PD-ja deklaron se nëse ligjet e reja të drejtësisë do të ishin zbatuar me korrektësi, kryeprokurorja nuk do të qëndronte më në detyrë, për shkak të shkeljeve që ka gjatë karrierës së saj.
Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj akuzoi Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku se gjatë karrierës së saj si prokurore e thjeshtë dhe këto muaj që mban detyrën e Kryeprokurores ka parregullsi dhe probleme me zbatimin e ligjit. “Një provë e fortë mbi këtë u dha sot (dje), ku radha për Vetting i erdhi kamikazes së Edi Ramës në Prokurori. Arta Marku, e deleguara e Edi Ramës në Krye të organit të prokurorisë, pritet të konfirmohet në detyrë, jo sepse përmbush kriteret e vendosura nga ligji, por se kriteret e kualifikimit që po aplikohen kanë si kusht kryesor se cili gjyqtar apo prokuror i shërben më shumë Edi Ramës dhe Qeverisë së tij të korruptuar. Sa më shumë t’i shërbesh Edi Ramës, aq më shumë rriten shanset për të kaluar me sukses vettingun. Ky është mesazhi që deri më sot ka dhënë ky proces”, tha Alibeaj.
Deputeti i PD-së solli disa fakte që, sipas tij tregojnë se gjatë karrierës së Arta Markut si Prokurore në Shkodër ka pasur shkelje të ndryshme. “Është fakt i njohur botërisht që Arta Marku në 6 muaj në Krye të organit të prokurorisë, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime e komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar e shkarkuar drejtues prokurorie, edhe pse neni 160, pika 2 e ligjit për statusin e magjistratit, ia ndalojnë shprehimisht këtë”,- u shpreh Alibeaj. Një tjetër pikë që PD-ja e cilëson si shkelje ligjor të Kryeprokurores janë shkarkimet dhe emërimet që ka bërë radhët e trupës së prokurorëve. “Vetë ajo ishte betuar përpara Komisionit të Ligjeve, ditën kur paraqiti kandidaturën, se nuk do të bëntë shkarkime dhe emërime, sepse ato ishin në kundërshtim me ligjin. Shkelja e hapur e ligjit tregon jo vetëm mungesë respekti ndaj ligjit, por qartësisht mungesë të theksuar të integritetit moral e profesional, kushte këto të domosdoshme për të kaluar me sukses Vetting-un”,- u shpreh Enkeljed Alibeaj.
Sipas PD-së, institucionet e Vetting-ut kishin për detyrë që merrnin në shqyrtim gjithë shkeljet që ka kryeprokurorja, por nën presionin politik nuk kanë bërë verifikime. “Kemi publikuar dokumente tronditës, sesi Arta Marku, në cilësinë e Prokurorit në Shkodër, harroi në burg një qytetar për 2 muaj e 13 ditë, duke i hequr në këtë mënyrë lirinë, në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë. Do të mjaftonte ky rast që Arta Marku të shkarkohej nga organet e vettingut, për shkak se në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare ka cenuar rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ky është një fakt i njohur për Komisionin, sepse është fakt i njohur botërisht, dhe për pasojë nuk kanë nevojë për prova të mëtejshme. Silvi Bardhi: Këto të dhëna dhe të tjera si këto, provojnë qartësisht se Arta Marku, jo vetëm nuk ka integritetin moral dhe profesionale për të qëndruar në detyrë, por ka cenuar rëndë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë”,- tha deputeti demokrat.
Sipas PD-së të gjitha këto fakte do të mjaftonin për të larguar nga detyra Arta Markun. Fakti që institucionet e Vetting-ut po e konfirmojnë në detyrë, sipas PD-së tregon se reforma në drejtësi është e korruptuar politikisht. “Nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot (dje) Arta Marku do të ishte shkarkuar nga detyra. Por përsa kohë ky proces diktohet nga Edi Rama e Fatmir Xhafaj, që e përdorin procesin për të shantazhuar prokurorë e gjyqtarë dhe për të shpërbyler shërbëtorët e tyre në sistemin e drejtësisë, ne nuk kemi asnjë besim se Arta Marku do të marrë atë që meriton, sipas ligjit- shkarkimin nga detyra”,- tha deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.
KOHA JONË SONDAZH

