Spahia: Italia 4-fishon testet për Covid para hapjes së shkollave, në Tiranë pseudoekspertët të strukur nën urdhërat politikë
Italia ka shpallur planin për katerfishimin e testimeve për Covid-19, 300 mijë në dite para nisjes së shkollave. Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia ndërsa e ndan me ndjekësit e tij në facebook këtë lajm thotë se fatkeqësisht asgjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri.
Ai akuzon strukturat shtetërore për mungesë transparence, si për numrin e testeve, prejardhjen e tyre, kushtet e kapacitetet njerëzore e teknike.
Në këtë situatë të mjerë, thekson Spahia, kemi pseudoekspertë të strukur nën urdhërat politikë, që nuk mendojnë më profesionalisht dhe një qeveri të pabesë me qytetarët e vet.
Në 24 orët e fundit, në vendin tonë u regjistruan 101 raste të reja pozitive dhe 5 viktima, ndërkohë që vijon të jetë i lartë numri i të shtruarve në spitale, 178 pacientë në dy spitalet Covid, 18 prej të cilëve janë në terapi intensive dhe 7 të intubuar.
Postimi i plotë në facebook
Ndërsa Tirana zyrtare nuk ka as edhe një plan si për shtatorin kur qytetarët do i kthehen punës pas pushimeve e do nisin edhe shkollat, fqinji ynë Italia po përgatitet të zbatojë një strategji ambicioze, që ka në qendër rritjen maksimale të numrit të testimeve për Covid-19, me 300 mijë të tillë në ditë.
Strategjia është pjesë e një plani kombëtar mbikqyrjeje e gjurmimi i Covid-19, i hartuar nga drejtori i institutit të Mikrobiologjisë në Padova, Prof. Andrea Crisanti, ai që njihet si “babai” i strategjisë, “tamponë për të gjithë”. Idetë e Prof. Crisantit janë mirëpritur nga qeveria italiane, e cila i ka kërkuar hartimin e një plani konkret të detajuar, i cili tashmë po diskutohet nga Komiteti teknik shkencor për pandeminë Covid-19.
Plani parashikon 40 milionë euro shpenzim fillestar, plus 1.5 milionë në ditë për menaxhimin e testimeve.
Synimi kryesor është që të kalohet nga 70-75 mijë, diku 90 mijë tamponë në ditë në Itali, në plot 300 mijë tamponë në ditë. Profesor Crisanti vlerëson se kjo rritje e testimeve duhet të kryhet në fazën e ndërmjetme mes kthimit nga pushimet dhe praghapjes së shkollave
Plani për katërfishimin e tamponëve, kërkon hapjen e laboratorëve të rinj në cdo rajon, me kapacitet testimi, 10 mijë tamponë në ditë dhe të koordinuar nga qeveria, në mënyrë që zbatimi i kësaj strategjie të bëhet në mënyrë homogjene në gjithë Italinë. Propozimi i profesor Crisantit është që të ketë struktura fikse, por edhe të lëvizshme, të pajisura për të kryer tamponët edhe në zona të thella apo të vështira. Këta laboratorë shtesë do përdoren për të rritur mbikqyrjen nëpër shkolla, zyrat publike e në kufi. Për uljen e kostove, prof. Crisanti propozon që reagentët e kiteve të prodhohen në Itali, sic bëhet tashmë në rajonin e Padovas.
Ky është shqetësim e impenjim për qytetarët! Ky është shfrytëzim i kapaciteteve të ekspertëve për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve! Ky është impenjim serioz, se jeta e qytetarëve është gjëja më e shtrenjt edhe pse me koston më të lartë për një vend!
Fatkeqësisht asgjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri! Mungesë transparence, si për numrin e testeve, prejardhjen e tyre, kushtet e kapacitetet njerëzore e teknike! Në këtë situatë të mjerë, kemi pseudoekspertë të strukur nën urdhërat politikë, që nuk mendojnë më profesionalisht dhe një qeveri të pabesë me qytetarët e vet!