SPAK dërgon në Gjykatë kërkesën për masën ”arrest në burg” për Ahmetajn
Pasi 117 deputetë nga votimi në Kuvend i dhanë dritën jeshile SPAK-ut për të vijuar sipas ligjit me Arben Ahmetajn, mësohet se SPAK-u ka dërguar në Gjykatë kërkesën për masën ”arrest në burg”.
Bashkë me kërkesën për arrestimin, SPAK ka kërkuar edhe leje për kontrollin e banesave të tij. Kërkesa e SPAK është marrë nga gjyqtari Erjon Bani, i cili do të duhet të shqyrtojë materialin hetimor të SPAK në një afat prej 48 orësh dhe më pas të dalë me një vendim.
Nëse pranohet kërkesa e SPAK, pritet që policia të ushtrojë kontrolle në të gjitha banesat e Ahmetajt dhe të bëjë kërkimet për ta gjetur atë. Ligjërisht procedura e kërkimit në territorin shqiptar te ish-ministrit do të marrë të paktën 2 javë kohë, deri në deklarimin e tij si të ikur.
Vetëm pas këtij momenti, SPAK bën shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar. Avokatët e ish-zëvendëskryeministrit kanë zbuluar këtë të premte se klienti i tyre ndodhet në Angli.