SPAK izolon Berishën, deputeti Sula: Drejtimi i PD-së nga shtëpia e shoh të vështirë
SPAK i ka kërkuar prokurorisë së Posaçme që ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, tashmë pa imunitetin e deputetit, të ashpërsohet masa ndaj tij në ”arrest shtëpie”. Në kërkesën zyrtare të SPAK-ut, kërkohet po ashtu që Berisha të mos ketë komunikim me asnjë person tjetër përveç personave që jetojnë me të në banesën e tij.
Deputeti i PD-së, Dashnor Sula thotë se kjo kërkesë e SPAK-ut është e tepruar, duke iu referuar udhëzimit për ndalimin e komunikimit të Berishës me personat jashtë familjes. Sipas tij Berisha është në të drejtën e vetë personale për të ushtruar aktivitetin politik për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë, por do ta ketë të vështirë drejtimin me kufizimet e kërkuara ndaj tij.
”Kërkesa e SPAK është e tepruar, duke marrë parasysh që nuk i lejohet komunikimi me personat jashtë familjes. Berisha është në të drejtën e vetë personale për të ushtruar aktivitetin politik për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë. Nuk i di mjetet që do të përdorë Berisha për të patur komunikim me PD-në.
Duhet të jemi të sinqertë, me kufizimet që ka është shumë e vështirë për të drejtuar partinë nga shtëpia nën arrest. SPAK për mua është një institucion për t’u vlerësuar dhe që duhet inkurajuar, por s’mund të kem iluzione për të thënë se ka përmbushur detyrën plotësisht për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta”,-tha në News 24”.