SPAK: Po hetojmë 20 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë për fshehje të pasurisë

SPAK bën me dije se ka nisur hetimet për 20 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë pranë gjykatave të ndryshme të vendit. Hetimet kanë nisur pasi Fran Dashi ka kallëzuar në SPAK këta 20 shtetas me funksion ish-gjyqtarë dhe ish-prokuror pranë gjykatave të Shkallës së Parë, Apelit, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, si dhe Prokurorive të ndryshme. Objekt kallëzimi janë deklarimet e kryera nga këta funksionarë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vendimet e shkarkimit të tyre nga KPK-ja. Kallëzimi i regjistruar në datën 28.04.2020, i akuzon për veprat penale të parashikuara nga nenet 143, 143/a/6,180, 181, 248 dhe 257/a të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vlerësuar materialet e kallëzimit në raport me përcaktimet e neneve 75/a dhe 78 të Kodit të Procedurës Penale dhe ka arritur në konkluzionin se jo të gjithë subjektet e kallëzuar janë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme. Nisur nga kjo është ndarë materiali kallëzues në ngarkim 10 të subjekteve, duke ia dërguar për kompetencë dhe vlerësim prokurorive kompetente në lëndë dhe territor, e pikërisht Prokurorive Durrës, Tiranë dhe Elbasan.

Për 10 subjekte me funksion ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, në Prokurorinë e Posaçme është regjistruar procedimi penal Nr.137/2020, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.

Njerëzit e drejtësisë të kallëzuar

Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm
Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese-po hetohet nga SPAK
Fatmir Lushi, sh-prokuror në Prokurorinë e Elbasan
Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë-po hetohet nga SPAK
Luan Dervishi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër
Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë-po hetohet nga SPAK
Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese-po hetohet nga SPAK
Edmond Islamaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë-po hetohet nga SPAK
Guxim Zenelaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë-po hetohet nga SPAK
Marina Rraboshta, ish-gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër
Besnik Imeraj, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese-po hetohet nga SPAK
Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë-po hetohet nga SPAK
Petrit Fusha, ish-drejtues i Prokurorisë Tiranë
Besnik Cani, ish-drejtues i Prokurorisë Elbasan
Besim Trezhnjeva, ish-gjyqtar Gjykata e Apelit Durrës
Arjan Balliu, ish-gjyqtar Gjykata e Apelit Durrës
Ferdinad Elezi, ish-drejtues i Prokurorisë së Apelit Durrës
Ema Gashi, Gjykata e Rrethit Durrës
Besa Nikëhasani, ish-drejtuese e Prokurorisë Apelit Shkodër

SHKARKO APP