SPAK regjistron procedim penal për Fredi Belerin
SPAK ka regjistruar procedim penal për Fredi Belerin, kandidat i Bashkë Fitojmë për bashkinë e Himarës, i cili akuzohet për blerje votash.
Mësohet se dosja e Blerit është përcjellë dje drejt Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Beleri akuzohet se kishte dhënë 400 mijë lekë për tetë vota.
AKUZA
Sipas dokumentit zyrtar, Beleri është arrestuar në flagrancë për korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim.
“Arrestimi u krye si autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim’, parashikuar nga neni 328 e 25 te K. Penal, që ka ndodhur në rrethanat si më poshtë:
Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.
Të arrestuarit në flagrancë iu bë e ditur se në bazë të nenit 255 ka të drejtë të ketë mbrojtje, se nuk ka detyrim të bëjë deklarata dhe në qoftë se do të flasë, çfarë do që ai thotë, mund të përdoret ndaj tij në gjykim”, thuhet në dokumentin e firmosur nga OPGJ.