SPAK-u ”shkriu” Krimet e Rënda, Kryeprokurori takim me prokurorët

Pasi SPAK ”shkriu” Prokurorinë e Krimeve të Rënda, paraditen e kësaj të hëne, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela realizoi një takim me prokurorët e kësaj prokurorie përpara përfundimit të aktivitetit nga ana e saj. Ai u shprehu atyre vlerësimet maksimale për punën e kryer përgjatë 15 viteve të funksionimit të saj, duke theksuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë model për rajonin dhe ka arritur rezultate të rëndësishme në luftën ndaj krimit të organizuar.

Çela vlerësoi lart profesionalizmin e tyre dhe shprehu besimin se eksperienca që ata kanë do të jetë shumë e vlefshme për prokuroritë ku ata do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet. Ai vlerësoi pozitivisht vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për transferimet e prokurorëve të kësaj prokurorie, si shenjë e mbështetjes dhe vlerësimit që ky organ dha për karrierën e prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kryeprokurori foli edhe për kuadrin e ri ligjor në të cilin veprojnë prokurorët, ku pavarësia u cilësua si elementi thelbësor që do të karakterizojë punën e prokurorëve. Ai siguroi se do të jetë mbështetës dhe garant i kësaj pavarësie.

Sipas tij, rezultatet e hetimit në çështjet që lidhen me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, janë provë e funksionimit të pavarësisë reale të prokurorëve dhe vlerësoi punën e tyre në këtë drejtim. Në fund ai u uroi suksese në karrierën e mëtejshme prokurorëve, duke shprehur besimin se kontributi i tyre do të jetë i rëndësishëm për rritjen e besimit të publikut tek drejtësia.

SHKARKO APP