Spanja gati të marrë presidencën e BE-së, Olta Xhaçka pret homologun: Në 2023 mbyllet procesi screening
Këtë të premte, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit të Mbretërisë së Spanjës, Jose Manuel Albares Bueno.
Palët gjatë diskutimeve të tyre janë fokusuar, përveç bashkëpunimit dypalësh, edhe në trajtimin e linjave kryesore të Presidencës së ardhshme spanjolle të BE-së. Ministrja Xhaçka tha se deri në fund të viti 2023, Shqipëria parashikon të përfundojë procesin e screening për të gjithë grup-kapitujt e negocimit.
“E informova homologun Albares mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit. Deri në fund të 2023, Shqipëria parashikon të përfundojë procesin e screening për të gjithë grup-kapitujt e negocimit. Kërkova mbështetjen e Spanjës në lehtësimin e diskutimeve në Këshill, për një vendim pozitiv për hapjen e grupit të kapitujve themelorë”, ka thënë Xhaçka.