Spartak Braho dje takoi në qeli Ballist Morinën.Çfarë i tha Ballisti? Kush fshihet pas arrestimit?

 

I pyetur nga “Koha Jonë” se pse ishte dje në qelinë e të arrestuarit nga policia Ismail (Ballist) Morina, heroit që ngriti dronin mu në mes stadiumit në Beograd, deputeti dhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare tha si më poshtë:

Isha në takim me të burgosurin Ismail Morina thjesht për arësye njërzore si bashkëtifoz i kombëtares, si njeri prej 3 milion  kuqezinjve një ditë pas fitores së madhe në Armeni dhe kualifikimit për në kampionatin Europian  në Francë.  Unë si mjaft shqiptarë  tifozë të kombëtares tonë  kam ndjekur çdo ndeshje të saj dhe kam shoqeruar ekipin edhe në Beograd vitin e kaluar .Kam qenë deshmitar jo vetem  i xhiros së dronit mbi stadium, por edhe i dhunës , egërsisë që u përdor nga tifozët serb ndaj lojtarëve të ekipit tonë ,si dhe ndaj tifozëve shqiptarë. Skena rrënqethëse përjetuam . Më vonë u mor vesh se një kuksian nga fshati  Shënmeri kishte qenë autori i atij '' provokimi ''  etnik që çmendi serbët dhe politikanët e tyre.

Takova Ismail Morinen edhe për një arësye  tjetër, doja nga afër  të kuptoja dhe të dëgjoja  prej tij motivin e atij veprimi  në stadiumin e Beogradit, pasi çfarë nuk u tha për të.  Dhe kuptova  se nuk mund të ndaje dot Ismail Morinen tifoz i çartur  kuq  e zi, nga patrioti  dhe atdhetari ,dashurinë  nga urrejtja , aventuren nga protagonizmi. Sa personal aq edhe i ndikuar nga rrethi i tij krahinor dhe shoqeror.Të  gjitha bashkë pa i mendur gjatë .  Edhe  për sikletin e pasojat ,por veçse pa ligesi dhe përfitim. Dhe ky njeri pas kësaj u gjet në mes të rruges , i braktisur , i presionuar  e i kërcënuar  me jeten e tij dhe të familjes e që bridhte rrugeve të Tiranes duke kërkuar mbrojtje e siguri nga shteti i tij , për jeten e familjes dhe tijën.  Ai takoi shumë , por kërkush nuk veproi. Si të gjithë tifozat kuq  e zi edhe Ismaili  ishte i deshiruar për ta ndjekur  revanshin   futbollistik   Shqipëri-Serbi. Por nuk u  bë mundur , ndërkohë  që Keshilli Bashkiak i Kukesit  përgatitej  ti  jepte  titullin   '' Qytetar Nderi '',  ndoshta   edhe  si presion   mbi   organet shteterore   që   sajuan   edhe   pengesa  për të  mos   e lejuar ditën e ndeshjes   jo vetem në stadium , por edhe qendrimin në Tirane, ndërkohë  që ky  kryetifoz   kuq  e zi   vazhdonte   të kërcënohej  jo  vetem elektronikisht , por edhe direkt, fizikisht. Kush?-  e pyeta-  kush?- dhe ai nuk   foli. Me  tha  vetem kaq : Unë  jam  i  dënuar  me vdekje  herët  ose vonë .Këtë gjë  ia kam  thënë edhe  NEY YORK TIMES.

 Ismail Morines policia i  kapi me vete një pistoletë të vjetër, që as nuk qëllon dot . Për  siguri – më tha-  bëra një provë edhe në fshat , por nuk pashë ku më ikën plumbat , megjithatë e vura e brez , jo si cub , por  publikisht .  Të gjithë  e dinin  që  unë  jo   vetëm   kërcënohesha  , por  edhe  ruhesha për tu vrarë .Këtë gjë  ia kisha thënë edhe  Shtetit tim . Por shteti im më futi  në burg- më tha i zhgënjyer.

Unë nuk jam i rrezikshëm për askënd, por duan të më marrin jetën mua dhe familjes time për atë që bëra për kombin tim shqiptar në mes të stadiumit serb dhe po të them se po të më kishin kapur do më varnin mu në mes Beogradit- shtoi Morina në qeli.

Kështu më tha Ismail Morina në qelinë e burgut dhe mendonte për familjen e tij pa lekë, pa mbrojtje, pa asgjë e cila është në mes të udhëve tani që ai është në qeli.

Gjithsesi këto janë gjëra që Ismail Morina do ti sqaroj në gjyq dhe nuk dua  të shtyhem më tutje pasi shpresoj për një gjykim  të drejtë  në këtë rast nga ana  e drejtësisë. Së fundmi  e takova  Ismail Morinën  edhe për një arësye  tjetër . Ai është  familjar; gruaja dhe dy  fëmijët , shtetas italianë , kanë mbetur  në mes të  katër rrugëve, të mjeruar  e pa ndihmë  ekonomike, atje në Milano . Një apel  për bashkëtifozat  tanë kuq  e zi .Ndihmoni  njeriun  dhe shqiptarin patriot  Ismail Morina  , që  është i burgosur , të përballojë  vështirësitë ekonomike për rritjen  e fëmijëve sa kohë është në izolim! Ndoshta këtë mision humanitar mund ta drejtoje edhe gazeta ''Koha Jone '' duke çelur një numur llogarie për familjen ''Morina''. Ne të gjithë duhet  ta ndihmojmë  e ti qëndrojmë  afër  bashkëkombesit tonë patriot  ,bashkëtifozët tanë kuq e zi  në  këto  ditë sa të gëzuara  për ne,  por edhe aq të hidhura për Ismail Morinën. 

U largova  nga burgu i Vaqarrit  duke lenë  mbrapa fytyren leshatore dhe sytë e tij që  shprehin hidherim e  çudi, se si nuk e arrestuan dot serbët, por e futën shqiptarët!

Ja pra pse isha në qeli tek ai, përfundoi Braho për “Koha Jonë”.

 

Shënim i redaksisë së “Koha Jone”:

Jemi plotësisht në përkrahje për të mbështetur financiarisht familjen e Ismail Morinës dhe do të derdhin kontribut financiar, sipas takatit tonë si gazetë, por për ta menaxhuar këtë nisëm dhe anën financiare  duhet ta ndërmarrë një shoqatë sportive, apo më mirë se Tifozat Kuq e Zi nuk mund ta bëjë njeri.

Ta ndihmojmë!

SHKARKO APP