SPECIALE/ 67 viktima, Shqipëria e 2021 si Kabuli. Ekzekutimet mes bandave dhe masakër me të vrarë

Kronika e ngjarjeve dhe krimeve mafioze që tronditën vendin në 365 ditët e 2021. Bandat vranë rivalët, muaji qershor ishte më i përgjakuri në vend me 13 viktima

Nga: Redjon Shtylla

Shqipëria e 2021 ishte një vit që i përgjante Kabulit, ku në Afganistan talebanët kanë rrëmbyer shtetin, në Shqipërinë tonë bandat bënë ligjin dhe eleminojnë kundërsharët. Saga e ekzekutimeve mafioze tronditi vendin në 365 ditët, ku muaji qershor është edhe më i përgjakuri në vend me 13 viktima. Viti pati edhe krime oridinere, por edhe masakra të frikshme si ajo e krimit makabër të vrasjes së 8-vjeçarit që revoltoi një Shqipëri në kërkesën për rikthimit të dënimit me vdekje, apo masakra në Velipojë me 4 viktima për vendet e shezlongëve, tregoi sesa shoqëri e dobët jemi dhe nuk kuptohemi. Rendi dhe siguria u trondit si kurrë më parë, me 67 viktima, ku 12 janë gra të vrara barabrisht nga bashkëshorët e jo vetëm.

1 janar, ahengu i vitit të ri u kthye në mort

Viti nisi me një vrasje. Klajdi Shundi në gjendje të dehur, qëlloi me thikë kunatin e tij, Vladimir Zvezhda, mëngjesin e 1janarit. Para gjykatës, Shundi ka pretenduar se nuk mbante mend asnjë gjë nga ngjarja, ndërsa me viktimën ka patur marrëdhënie të mira. Shundi kishte ftuar motrën dhe kunatin me rastin e Vitit të Ri për të festuar blerjen e një apartamenti të ri. Pasi kanë pirë dhe janë dehur, viktima ka nisur të konfliktohet me bashkëshorten e tij, e cila është njëkohësisht dhe motra e 34-vjeçarit.

24 janar, ekzekutim në Durrës për pazare droge

Edmir Bregu, 32- vjeç u ekzekutua më 24 janar në Durrës. Qitësi bashkë me ndihmësit e tij, e kanë ndjekur Bregun një ditë më parë, gjatë gjithë ditës, në mënyrë që të gjenin momentin e përshtatshëm për ta “eliminuar”. 32-vjeçari ishte me origjinë nga Hasi dhe jetonte në Durrës. Ai ka qenë dënuar  për trafik të lëndëve narkotike dhe kanosje. Edhe pse Policia kishte tre pista hetime, ende nuk ka persona apo person të prangosur për këtë vrasje.

29 janar, 57-vjeçari në Mallakastër u rrah nga shokët

Më 29 janar një sherr për motive të dobëta mes shokëve në Mallakastër, dërgoi në spital 57-vjeçarin Pelivan Sinanrrapaj. Pas konfliktit, ku 57-vjeçari sëbashku me shokët e tij ishin në gjendje të dehur, Sinanrrapaj përfundoi në spital me fraktura ku ndërroi jetë më 7 shkurt. Festim Alimerkaj 53 vjeç dhe Ferdinand Meraj, 42 vjeç, morën masën “arrest shtëpie” dhe Fitim Zekaj 44 vjeç, “detyrim paraqitje” kjo pasi ai ka çrregullime të shëndetit mendor.

1 shkurt, vritet Shkëlzen Kastrati

40-vjeçari Shkëlzen Kastrati u vra paraditen e 1 shkurtit, teksa po kalonte në Urën e Sheqit. Vrasja e tij sipas burimeve nga grupi hetimor është bërë nga një grup vrasësish me pagesë, që vepron në Fushë-Krujë. Për këtë vrasje në burg është Albert Zaja, i cili pretendon të jetë i pafajshëm, duke thënë se me 1 shkurt, kur Shkëlzen Kastrati u ekzekutua në makinën e tij në Fier, ai ka qenë në Vlorë së bashku me një shok, dhe më pas është kthyer në shtëpinë e tij, argumente për të cilat thotë se ka fakte.

6 shkurt, ekzekutohet Gentian Qarri 

Gëçja i Vlorës u vra në qendër të qytetit, teksa po ecte me këmbë. Autorët qëlluan mbi 20 herë me kallashnikov duke e masakruar. Gentjan Qarri sapo kishte dalë nga banesa e tij dhe autorët kanë qëlluar derisa iu ka ngecur arma pasi i kanë mbaruar fishekët. I ndjeri jetonte në një pallat në katin e 12-të pranë vendit ku u ekzekutua.  Pista kryesore është e shkuara e tij kriminale. Ai ka bërë 11 vite burg në Itali për trafikim narkotikësh, ndërkohë që në Vlorë punonte si teknik kondicionerësh.

17 shkurt, godet për vdekje me makinë bashkëfshatarin

Mark Gjeta 68-vjeç u aksidentua për vdekje nga bashkëfshatari i tij, Mhill Gega. Autori dhe viktima kishin patur konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin dhe për këtë ka qenë në dijeni edhe policia. Gjykata e Lezhës dënoi me 10 vite e 9 muaj burg, 60-vjeçarin Gega. Organi i akuzës arriti të provojë se ngjarja ka qenë e qëllimshme, dhe ndaj autorit u ngritur akuza e vrasjes me dashje. Ata kishin punuar për disa kohë në të njëjtën ndërmarrje, por marrëdhëniet e tyre nisen të acarohen për motive tërësisht banale, pasi viktima e tallte dhe ofendonte autorin.

25 shkurt, ekzekutohet bosi heroinës Behar Sofia

Behar Sofia, 66-vjeç u vra te Piramida. Me 4 identitete dhe i përfshirë në trafikun e drogës jashtë Shqipërisë, ai u vra buzë lumit Lana përballë me Piramidën pasi kishte pirë një kafe. Në burg për krimin është Skënder Vathi, i ka një qëndrim mohues në lidhje me akuzën. Në media, Sofia u etiketua si bosi i drogës dhe se vrasja e tij kishte lidhje me trafikun e heroinës. Ai ka qenë është arrestuar sëbashku me Abdulselam Turgut disa vite më parë për trafikun e dhjetëra kilogramëve drogë nga Turqia në Shqipëri.

3 mars, vritet djali i një ish-polici Taulant Gjikaj

Një tjetër vrasje u regjistrua në Vlorë, aty ku bandat rivale po vrasin dhe ekzekutojnë. Taulant Gjikaj, (Beqiraj, Manaj), 31-vjeç, djali i një ish-polici u vra në rrugën “Transballkanike” në Vlorë. Viktima ishte duke ecur në këmbë, kur e qëlluan. Policia dyshon se ditën e vrasjes, ai ishte përplasur me tre persona. Pista kryesore është ajo e prishjes së pazareve të drogës. Gjikaj ishte një person me precedent të mëparshëm penali, i arrestuar për armëmbajtje pa leje gjatë një konflikti me armë mes bandave në qytetin e Vlorës në vitin 2017.

5 mars, djali “unik” godet për vdekje të atin me shkop

Erdis Rapi, është 25-vjeçari që qëlloi për vdekje babanë e tij në Fier, kjo me shkopin e bagëtive. Në facebook ai e quan veten “djalë unik”. Ngjarja e rëndë tronditi banorët e zonës. Pas aktit të rëndë fqinjët kanë folur për mediat, ku shprehen se të dy grindeshin shumë. Fqinjët thonë se ata jetonin vetëm të dy dhe vuanin nga probleme të shëndetit mendor, por janë shprehur se këtë akt nuk e prisnin të ndodhte kurrë.

20 mars, ekzekutohet miku i Lul Berishës

Një pritë i’u bë Edmond Koçit, 43 vjeç, i njohur si “Mond Çekiçi”. Ai kishte konsumuar një kafe pranë shtëpisë së prindërve dhe u vra nga dy persona që dyshohet se janë vrasës me pagesë. Ata e kishin të mbuluar fytyrën me shall dhe kishin veshur rroba ushtarake. Pistat në të cilat është fokusuar grupi hetimor janë ato të prishjes së pazareve të drogës apo përplasjeve mes grupeve rivale të botës së krimit, ndërsa pjesë e hetimit është bërë dhe vrasja e 2 muajve më parë të Edmir Bregut, alias Jetmir Bregu ose Ilir Kuci, mikut të 40 vjeçarit Edmond Koçi (Mond Çekiçi).

4 prill, ekzekutohet Bardhok Pllanaj

Viktimë e atentatit në Dobraç të Shkodrës mbeti edhe 46-vjeçari Bardhok Pllanaj. Ai ishte i dënuar dhe me një pasuri prej mbi 2 milionë euro. Për vrasjen e tij mendohet se janë vendosur një grup prej 6 personash. Krimi ndodhi në një kohë që ishte ora policore për shkak të pandemisë. Në 2020, OFL-ja i dërgoi formularin për justifikimin e pasurisë pasi ka qenë i arrestuar dhe dënuar për disa vepra penale, mes të tjerash në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore. Bardhok Pllanaj ishte kryefjalë e politikës shqiptare në vitin 2014, pasi u akuzua për trafik droge, por i shpëtoi arrestimit.

12 prill, 60-vjeçari vritet me thikë pas sherrit

Ilirjan Ruca, 60-vjeç, mbeti i vrarë mesditën e 12 prillit në Gjirokastër. Ai ndodhej në lagjen “Pazari i Vjetër” kur u godit me thikë nga 57-vjeçari Afrim Nazifi. Sipas policisë, shkak për ngjarjen dyshohet se u bë një konflikt i çastit, megjithatë rrethanat e plota të saj nuk janë ende të qarta. Ruca mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital, ku pavarësisht ndihmës mjekësore nuk mundi të mbijetonte dhe gjeti vdekjen pak kohë më pas. Afrim Nazifi ka thënë se e qëlloi viktimën, pasi ky i fundit e ofendoi.

13 prill, 50-vjeçari vritet nga fqinji për një tub uji

Në fshatin Luzni të Dibrës vrasja ndodhi për një tub uji. Viktima Xhetan Kontesha si edhe dy vëllezërit Muhamet Mera dhe Altin Mera, të cilët qëlluan për vdekjen 50-vjeçarin, kanë pasur një konflikt të vjetër dhe e ka zanafillën për një tub uji. Viktima ishte dhëndër në fisin Mera. Altin Mera qëndronte i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para policëve që po bënin krehjen e zonës, me qëllim arrestimin e tij.

21 prill, vritet mjeku psikiatër Pjerin Xhuvani

4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, një vrasje tronditi politikën. Ngjarja e rëndë ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ish-kryetar i LSI-së në Elbasan, ish-zyrtar dhe së fundmi simpatizant aktiv i Partisë Socialiste në degën e Elbasanit, tronditi qytetin. Ai konsiderohej nga PD, si organizator i grupit dhe person i implikuar në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Ndaj tij nuk është ngritur kurrë akuzë zyrtare nga prokuroria. Më 25 maj, Gjykata e Apelit Durrës la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë Elbasan lidhur me masat e sigurisë në ngarkim të Arbër Paplekajt dhe 10 të tjerëve. Paplekaj mbetet me masën e sigurisë personale “arrest me burg”.

29 prill, i riu në Malleqarë vret vëllain me thikë

Florian Tonuzi përpara se të vriste vëllanë e tij, ka dhunuar dhe babain, dhe për këtë shkak konflikti në familje ka agravuar. 26-vjeçari vrau me thikë të vëllanë 23 vjeç Bernard Tonuzin kur po ktheheshin në banesë, pasi kishin qenë tek lokali i tyre në qendër të fshatit dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Arrestimi i tij u bë një ditë më pas, ku shkoi në varrimin e të vëllait. 26-vjeçari ka qenë përdorues i lëndëve narkotike, dhe pak kohë më patë kishte dalë nga burgu, ndërkohë që njihej nga banorët e zonës si një person agresiv.

10 maj, ekzekutohet në mes të Vlorës Bledar Birçaj

Bledar Birçaj, 40-vjeç u vra në mes të ditës në Vlorë. Ai ishte duke udhëtuar me makinën e tij, bashkë me një polic dhe një kushëri. Dy persona i dolën para pasi një makinë i preu rrugën dhe e qëlluan me breshëri kallashnikovi. Ai ka qenë i arrestuar dhe në 27 janar 2011 nga policia dhe prokuroria e Vlorës, ku qëndroi fillimisht në burg në masën e “arrestit në burg” 45 ditor dhe më pas në 9 mars 2011, gjykata e Vlorës i caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”. Për qëndrimin në burg për një periudhë 122 ditore, ai përfitoi dëmshpërblim 2 milion e 760 mijë lekë të vjetra.

10 maj, provoi fatin dhe vret shokun me plumb në zemër

Një lojë mes shokëve i mori jetën një të riu në Tiranë. 27-vjeçari Mehmet Qema i bëri me shenjë shokut të tij, Marius Dema që të largojë armën. 28-vjeçari vazhdoi të luante me vdekjen ndër duar, derisa arma u shkrep dhe i mori jetën. Përveç Marius Demës që u vetëdorëzua disa orë pas krimit, u vetëdorëzuan edhe shokët e tjerë që gjendeshin së bashku me ta përtej orës policore. Për të gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, duke i dhuruar lirinë të riut që i mori jetën shokut të tij.

11 maj, Everest Caka vritet në sy të gruas në Elbasan

Everest (Ibrahim), Caka, 41 vjeç u vra në lagjen “Skënderbej” në Elbasan. Ai u qëllua në sy të gruas, Silvana e cila gjithashtu ngeli e plagosur. Viktima sapo ishte kthyer nga Spanja. Ai ka qenë i dyshuar për vrasjen e shoferit të autobusit Gëzim Alikaj, ngjarje e ndodhur tek zona e Doganës në Elbasan 11 vite më parë. Çaka është dyshuar edhe për një ngjarje tjetër të rëndë, e ndodhur në mars 2011, ku në lagjen “Syrja Dylgjeri”, janë qëlluar me nga një plumb në kokë teksa flinin në një dhomë, dy vëllezërit Xhelal dhe Pëllumb Mahmuti, si dhe babai i tyre, Emini.

17 maj, torturohet dhe vritet në Shkodër Endri Mustafa

Tre ditë pasi familja e kishte denoncuar si të zhdukur, Endri Mustafa u vra në mes të Shkodër. 32-vjeçari ishte një emër i njohur për policinë e Shtetit. Ai u vra me 6 plumba pasi ishte torturuar fillimisht nga autorët. I riu, baba i tre fëmijëve, është ekzekutuar në mënyrë makabre, ku është qëlluar me 1 plumb në gojë, 2 në kokë dhe 3 në gjoks. “Karrierën” e rrugës e nisi që në moshën 20-vjeçare. Në vitin 2009 ai plagosi me armë zjarri një moshatar dhe asokohe kanë qenë shokët e tij të cilët i kanë fshehur armën e tij të zjarrit nëpër male.

21 maj, vritet me mbi 15 plumba Delon Troqe

Delon Troqe, 48 vjeç u vra para derës së biznesit të tij, i shoqëruar nga i vëllai, ndërsa autorët zbrazën në drejtim të tij mbi 15 plumba. Policia gjeti 2 armë brenda një makine të djegur, ndërsa për rastësi, Delon Troqe sapo ishte kthyer nga Spanja. Delon Troqe rezulton se është i afërmi i Elvis Troqes, një emër jo pak i njohur në qytetin e Vlorës, i zhdukur pa gjurmë që prej 2017-ës. Me familje dhe fëmijë, Troqe kishte hapur edhe një pikë servisi skafesh dhe një pikë dhënie skafesh me qira. Pista kryesore është se vrasja ka ndodhur për prishje të pazareve të drogës.

29 maj, atentat në Vlorë Edison Begajt nga një “polic”

Edison Begaj mbeti i plagosur në një ngjarje të ndodhur në qendër të Vlorës. Një person i veshur si polic, duke mos pyetur për dy të miturit që ishin në makinë, qëlloi drejt tij, duke e lënë të plagosur. Edison Begaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai është subjekt i OFL-së dhe i dënuar dhe kapur disa herë me drogë përgjatë viteve. Në shkurt të 2010 ai është dënuar me 7 vite e 6 muaj burg për drogë. Në vitin 2015 u kap me 50 kg marijuanë të llloojit “çokollatë”.

31 maj, godit me grusht për vdekje 53-vjeçarin në Durrës

Një sherr me pasojë vdekje u regjistrua në Durrës më 31 maj të këtij viti. 37-vjeçari Mirjan Ashiku nga Peqini, dyshohet se për motive të dobëta ka goditur 53-vjeçarin Zef Krasniqi nga Durrësi, i cili për pasojë është rrëzuar në tokë dhe ka pësuar dëmtime. 53-vjeçari pas mjekimit të marrë në Spitalin Rajonal Durrës është transferuar për mjekim të specializuar në Spitalin e  Traumës në Tiranë ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë, kjo 8 ditë pasi u godit nga 37-vjeçari.

1 qershor, vritet te dera e shtëpisë biznesmeni 52-vjeçar

Çajup Selimi, i cili ndodhej në banesën e tij në një pallat në lagjen “15 shtatori” në Tepelenë është thirrur nga një person në katin e parë për të zbritur poshtë, dhe u qëllua 2 herë me pistoletë. 52-vjeçari njihej me personin që e ka thirrur dhe ka vajtur për ta takuar poshtë pallatit. Selimi rezulton pronar i një biznesi në qytet, ndërsa më parë ka qenë i përfshirë edhe në disa konflikte për çështje konkurrence. Ai tregtonte miell, materiale ndërtimi dhe artikuj të tjerë të ndryshëm. Në vitin 2018 Selimi u konfliktua me dy persona, të cilët e goditën e atë me mjete të forta.

2 qershor, vritet në pragun e derës Shkëlzen Velaj

Shkëlzen Velaj i frikësuar për jetën e tij, nxitoi të hynte në banesë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, por plumbat i morën jetën në vend, pak çaste para se nëna e tij të hapte derën. 42-vjeçari deri më tani nuk rezulton si person që ka pasur precedentë të mëparshëm penalë dhe fqinjët e tij e përshkruajnë si një njeri të qetë, madje shumë ndihmues ndaj komunitetit. Ata janë shprehur se i riu madje kishte paguar për shtrimin e rrugës së lagjes, duke përmendur dhe vepra të tjera për komunitetin.

2 qershor, vret 62-vjeçarin dhe plagos të birin

Sofokli Shani vrau me armë zjarri 62-vjeçarin Hirakli Qorri në lokalin e tij, ndërsa plagosi djalin e viktimës, Kejdi Qorri 31-vjeç. 62-vjeçari ndërroi jetë në vend. Shkak i ngjarjes është bërë një debat i çastit në lokal midis autorit dhe viktimës, debat i cili ka përfunduar në përplasje fizike. Pasi është konfliktuar autori ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë armën që e mbante pa leje e më pas është rikthyer në lokal ku dhe ka qëlluar. Para gjykatës Shani ka pranuar akuzën e vrasjes dhe ka theksuar se e ka kryer aktin në gjendje të dehur. Gjykata e la në burg 57-vjeçarin.

4 qershor, historia mediatike e çiftit Saliaj u mbyll me vrasje

Pas sherreve të vazhdueshme për divorcin dhe kujdestarinë e fëmijëve, vjehrri vrau dhëndrin në mes të lokalit, para se të niste seanca gjyqësore. Viktima Kudret Saliaj kishte hapur procesin gjyqësor për t’u ndarë nga gruaja e tij me të cilin kanë edhe 3 fëmijë. Mexhit Picari, një ish-polic hyri në lokal dhe hapi zjarr drejt Saliajt, ndërsa u plagos edhe avokati Adriatik Cama, që ndodhej në një tavolinë me viktimën. Brenda familjes ka pasur akuza dhe kundërakuza, pretendime për tradhti bashkëshortore, mosmarrëveshje dhe deklarata për dhunë fizike dhe psikologjike. Pas këtij kallëzimi, Dhurata Saliaj u arrestua më datë 3 Tetor. Pasi u arrestua, Dhurata doli përpara Gjykatës së Tiranës dhe trupa gjykuese vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

6 qershor, ekzekutohet biznesmeni i njohur në Ksamil

Biznesmeni i njohur Gramoz Memaj u ekzekutua më 6 qershor në Ksamil. 40-vjeçari ishte pronari i një lokali të marrë me qera në Ksamil dhe nuk njihet si person problematik në qytet. Po ashtu është bërë me dije se Memaj kishte pak kohë që ishte zhvendosur në lagjen, ku u vra dhe njihej nga fqinjët si një person jo problematik. 40-vjeçari ishte nga Tepelena dhe jetonte në Ksamil, ndërsa nuk dihet nëse ka pasur precendetë penalë të mëparshëm. Dyshohet se kanë qenë 4 persona që kanë qëlluar drejt tij.

8 qershor, vritet për një gërvishtje makine 5 vite më parë

Një gërvishtje makine e ndodhur 5 vite më parë u bë shkak i një sherri që do të përfundonte tragjikisht për Ylben Xhahysën në Peqin. Xhahysa, 44-vjeç, u qëllua për vdekje me 4 plumba nga Leonard Bashalliu. Autori dhe viktima kanë qenë të përfshirë në një konflikt 5 vite më parë, pasi Xhahysa i ka gërvishtur makinën Bashalliut, ndërsa ka qenë pikërisht kjo ngjarje e së shkuarës për të cilën ata u konfliktuan edhe ditën e vrasjes. Leonard Bashalliu ka nxjerrë armën dhe qëlloi mbi Xhahysën duke e lënë atë të vdekur. Autori tha se ishte në një gjendje të rëndë.

13 qershor, i riu u vra dhe trupi u hodh në rezervuar

25-vjeçari, Fridman Xhaferraj, nga Lushnja u vra në Korçë pas prishjes se pazareve të drogës. Xhaferraj u largua nga banesa me datën 22 maj, një ditë pasi ai është liruar nga burgu dhe kishte marrë masën e sigurisë “arrest shtëpie”, masë kjo e vendosur pasi akuzohej për djegien e tre makinave në një qendër tregtare në Lushnje. Kurse në datën 23 maj, policia ka shkuar në shtëpinë e 25-vjeçarit në fshatin Plug të Lushnjes për të kontrolluar zbatimin e masës së sigurisë, dhe nëse Xhaferraj ndodhej në shtëpi, dhe aty ka zbuluar se ai kishte thyer masën e sigurisë.

26 korrik, 47-vjeçari vritet nga bashkëshortja dhe vajza

Ylber Lezi u vra nga gruaja dhe vajza e tij. Ngjarja e rëndë u regjistrua më 26 korrik të 2021 në Klos. Fillimisht viktima ka pasur konflikt me bashkëshorten dhe vajzën e tij, të cilat përveç problemeve që kishin me depresionin, përballeshin me dhunën e ushtruar nga kryefamiljari, derisa vendosën që ta qëllonin me sëpatë, duke e lënë të vdekur në vend. 51-vjeçarja Mine Lezi dhe 21 vjeçarja Aida Lezi, janë dërguar në spital psikiatrik. Gjykata e Matit vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për t’i dërguar për kurim pasi nënë e bijë vuanin nga problemet mendore.

29 korrik, babai i dy fëmijëve u vra për një copë tokë

Një tjetër viktimë e sherreve për toka u shënua në vend. 30-vjeçari Romeo Hasalla, mbeti viktimë e një sherri të nisur për një copë tokë, e cila ishte mbjellë me ullinj nga familjarët e tij. I riu, babai i dy fëmijëve të mitur, sapo ishte kthyer nga Greqia dhe kishte vendosur që të shkonte me të atin dhe 2 vëllezërit për të punuar tokën, herët në mëngjes, por aty u përballën me kushërinjtë. Për këtë ngjarje akuzohen dy vëllezërit Kastriot e Afrim Hasalla, po ashtu edhe djali i Kastriotit 20-vjeçari Marjus Hasalla.

21 gusht, vritet 25-vjeçari dhe autori tenton arratisjen nga burgu

Vrasësi i 25-vjeçarit Xhuljano Bullari është Bledar Selmanaj. Ai u gjet i vdekur mëngjesin e 21 gushtit. Bledari qëlloi të riun me tre plumba, njëri prej të cilëve i preku kokën dhe rezultoi ai më fatali që i mori dhe jetën. Arsyeja pse Selmanaj qëlloi ndaj të riut, ishte një sasie rreth 100 kg lëndë narkotike kanabis. Por edhe deri më sot, ai nuk e ka pranuar vrasjen. Ai ka një kartelë mjekësore që vërteton se Selmanaj kurohet vazhdimisht për sëmundje depresive. Më 22 dhjetor, ai tentoi edhe arratisjen nga burgu, pasi inskenoi një akt vetëvrasje.

23 gusht, vritet dhëndri anëtarit të bandës “Hakmarrjes për Drejtësi”

Lushnja u trondit nga breshëritë e kallashnikovit që lanë pasoja. Pronari i një lokali “Bar Pedonales”, Bledar Muça mbeti i vrarë dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur, në një ngjarje mafioze që ende e kësaj dite nuk është zbardhur plotësisht. Një nga pistat ku po heton prokuroria është e shkuara e viktimës, pasi në vitin në 2007, Muça ka qenë nën hetim për tentativë për vrasje. Po kështu, po hetohet për një lidhje krushqie të tij me një anëtar të bandës “Hakmarrje për Drejtësi”, si dhe për konfliktet e fundit që mund të ketë pasur viktima.

27 gusht, vritet pas dasmës dhe pistë është pronësia

Vrasja e Sokol Çelaj në fshatin Reç të Shkodrës vijon të jetë e pazbardhur. Viktima në muajin gusht 2021 kishte mbëritur nga Anglia në Shkodër, për shkak edhe të disa gëzimeve familjare. Madje mbrëmjen e ngjarjes, Sokol Çelaj, kishte qenë në dasmë dhe teksa ishte duke u kthyer për të shkuar në banesën e tij, ai është ekzekutuar me 6 plumba nga një person ende i paidentifikuar deri në këto momente. Viktima prej disa kohësh ka pasur një konflikt me disa persona në zonën ku banon, për shkak të një sipërfaqe toke që lidhet me ndërtimin e shtëpisë së tij.

4 shtator, vrau bashkëfshatarin se i qëlloi me shpullë djalin

Më 4 shtator në orën 15:30 në fshatin Çerem të Tropojës, Isat Goçaj kishte shkuar në banesën e zjarrfikësit Astrit Ismajlisufaj, ku fillimisht u përball me nënën e tij, të cilën e ka shtyrë me dhunë në tentativë për të hyrë brenda banesës. Pasi ka dalë në oborr dhe ka parë nënën të shtrirë në tokë, zjarrfikësi Astrit Ismailisufi i ka kërkuar Goçajt që të largohet, por ky i fundit vijonte të kërkonte llogari për sherrin e nisur më herët. Ai ka nxjerrë armën dhe qëlloi 49-vjeçarin, duke e lënë të vdekur. Dy familjet kishin qenë në konflikt për një sipërfaqe toke.

4 tetor, Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku u ekzekutuan pa mëshirë

Elbasani gjatë 2021 u kthye në një vend “lufte”. Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku u ekzekutuan pa mëshirë. Autorët hapën zjarr mbi 20 herë me automatik gjatë mometit që viktimat zbritën nga makina dhe po hynin në lokal. Vrasësit ashtu si dhe në ngjarjet e tjera kriminale të ndodhura në këtë qytet, u larguan në drejtim të zonës së Metalurgjikut. Ata braktisën makinën në afërsi të fshatit Balldren, të cilën e dogjën e më pas dyshohet se u larguan me një mjet tjetër. Pista kyresore ku janë përqëndura hetimet deri më tani është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale, por nuk përjashtohet as ajo e prishjes së pazareve të drogës. Bitri dhe Çollaku ishin dy emra të njohur për policinë, pasi ishin me precedent penal.

7 tetor, vret kryekamarierin për një tavolinë që ishte rezervuar

Kryekamarieri i resortit “Fish City”, Gazment Kurmaku humbi jetën për shkak të dhunës që ushtroi ndaj tij një klient. Erjon Llapushi, 33-vjeç, e qëlloi me sende të forta duke i shkaktuar vdekje klinike, vetëm sepse nuk e la që të darkonte në një tavolinë që ishte e rezervuar më parë. Por Llapushi nuk është një person i panjohur për Policinë e Shtetit, pasi ka “aktivitet të njohur” duke nisur nga viti 2007. Kurse 4 muaj para se të kryente vrasjen, ai ishte arrestuar për një vepër penale për të cilën parashikohet deri në 7 vite burg, por ia kishte dalë që t’i shpëtonte dënimit.

23 tetor, biznesmeni mori të paktën 18 plumba në trup

Tre plumba në zonën e qafës dhe kokës dhe rreth 15 të tjerë në kraharor i kanë marrë jetën 57-vjeçarit Demir Backa në Fier. Pistat e hetimit mbeten dy, ndonjë konflikt mbi pasuritë e shumta të 57-vjeçarit dhe sherri familjar i dy viteve më parë. Këtë sherr viktima e ka pasur me një person të botës së krimit në Fier, ndaj ka dyshime të forta se ai mund të ketë paguar për të vrarë Demir Backën. Numri serial i armëve ka qenë i fshirë, ndërkohë që ato janë shkrumbuar tërësisht duke janë bërë të vështirë punën hetuesve përtë gjetur ndonjë gjurmë.

25 tetor, nipi vret xhaxhain dhe më pas edhe veten

Vdekja e djalit të Jorgji Koretës disa vite më parë gjatë një aksident më makinë ku udhëtonte me 39-vjeçarin Genc Koretën ka qenë shkak i debateve të shpeshta që ai ka pasur me xhaxhanë e tij, të atin e viktimës Jorgji Koreta. Aksidentin tragjik 39-vjeçari nuk kishte mundur ta përballonte dot dhe që atëherë vuante nga një gjendje e rënduar psikologjike. Ky ka qenë shkaku i vrasjes së ngjarjes në Vlorë, ku nipi Genci Koreta, 39-vjeç vrau me armë gjahu xhaxhain Jorgji Koreta, 64-vjeç dhe më pas veten. Arma e gjahut ishte pa leje përdorimi nga Genci Koreta. Me këtë armë është qëlluar vetëm dy herë pasi aq fishek ka patur.

1 nëntor, një vritet ish-polic ekzekutohet nga dora e mafias

Vrasja e Xhelal Reçit në mes të Laçit ishte një ngjarje e paralajmëruar. Një vit më parë djali i tij Besnik Reçi i shpëtoi atentatit. Ishte ora 07:23, kur viktima ihste pranë bizneseve të tij, pasi njihej si pronar i një butiku dhe i një bar kafeje në Laç. 60-vjeçari më herët ka punuar si polic. Më vonë u mësua edhe se kishte trokitur në zyrat e drejtorëve të fundit të policisë duke u treguar personat me të cilët kishte hasmëri dhe e kërcënonin se do e vrisnin. Hetimet vijojnë dhe asnjë person nuk është në burg për këtë krim kaq të rëndë, që tregon se siguria në vend është zero.

5 nëntor, i riu humb jetën përshak të një video intime të së motrës

Një video e dërguar në celularin e Ardit Hidës ku në të shfaqej motra e tij e mitur në momente intime, raportohet se është bërë shkak i vrasjes së Florenc Kovaçit dhe plagosjes së vëllait të tij Mikel Kovaçi. Video në celularin e Arditit, e ka dërguar Florenc Kovaçi. Në këtë video shfaqej motra 14-vjeçare e Arditit në momente intime me Mikel Kovaçin. Pas kësaj ndodhie Ardit Hida ka qëlluar me thikë duke lënë të plagosur rëndë 19-vjeçarin Mikel Kovaçi, ndërkohë ka vrarë po me thikë 26-vjeçarin Florenc Kovaçin.

6 nëntor, biznesmeni rrëmbehet dhe më pas ekzekutohet me 2 plumba

Një tjetër dosje enigmatike është rrëmbimi dhe vrasja e biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Ai u vra me dy plumba në Qafë Mollë në Dajt, ku trupi iu hodh në një humnerë dhe më pas u mbulua me gurë e gjethe për të mos u gjetur. Autori i gjithë kësaj ngjarje dyshohet se është shoku i tij, Fredi Rrushi, i arrestuar nga policia, dhe i kërkuar nga Interpol Roma për trafik drogë në Itali. Në pranga përfundoi edhe vëllai i autorit, Pajtim Rrushi, 42 vjeç, pasi ishte bashkëpunëtor në krim. 43-vjeçari, baba i dy fëmijëve ishte shpallur i zhdukur dy javë më parë.

13 nëntor, vrasje e dyfishtë në Astir ishte e planifikuar prej 5 muajsh

Gjashtë persona janë përfshirë në vrasjen e dyfishtë e Erigers Mihasin dhe Armando Dumanin dhe mendohet se plani është shtrirë prej 5 muajsh. Hetuesit e çështjes janë të bindur se bëhet fjalë për një ngjarje të mirëorganizuar. Pasi kishin pritur momentin që Mihasi të kthehej në Shqipëri, autorët ishin vënë në ndjekje të tij gjatë lëvizjeve në Tiranë. Precizioni ai që i tradhëton, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një dorë të stërvitur, pra një grup vrasësish me pagesë. Armët e gjetura në mjet gjithashtu ishin pa asnjë të dhënë të vlefshme, pasi numri serial i armëve ka qenë i fshirë, ndërkohë që për shkak të zjarrit ato janë shkrumbuar tërësisht.

10 dhjetor, autorët ishin në këmbë i dolën para dhe e vranë

Viktimë e një atentati mbeti edhe Rakip Roli, i cili u ekzekutua nga dy persona që kanë qenë duke lëvizur në këmbë. Autorët i kanë dalë përpara automjetit që drejtohej nga viktima, dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me breshëri plumbash. Roli ka humbur kontrollin e automjetit, duke u përfshirë në një aksident. Ai ka përplasur një automjet tjetër dhe më pas ka përfunduar në një kanal pranë zonës ku ka ndodhur ekzekutimi. Mjeti ka ecur dhe për disa metra pas breshërisë së plumbave, dhe ka përplasur dy mjete të tjera.

14 dhjetor, agjenti i krimeve dhe vrasja në market

Jurgen Duka humbi jetën në spital, pas një sherri banal brenda një marketi në rrugën “Irfan Tomini”, ndërsa shkak thuhet se u bë sherri se kush do paguante i pari tek kasa. Autori i vrasjes, del të jetë Arbër Sula, dhe veprimet e tij të shpejta gjatë sherrit, e identifikuan që është një agjent i krimeve. Ai është ende në kërkim nga Policia. Është vrasje, apo fatkeqësi që i riu Duka ishte në ato momente në market? Viktima del të jetë një emër i njohur për drejtësinë. Mbi viktimën akuzat dhe dënimet, kanë nisur që nga viti 2013 në vitin 2020.

23 dhjetor, vritet Can Kariçi dhe pistë është miqësia me Martinajt

Can Kariçi që u vra në një krim mafioz në Kodër Kamëz. 30-vjeçari është shoku i fundit i Ervis Martinajt që ekzekutohet në atentat. Viktima ka qenë me precedent penal, konkretisht në fushën e krimeve kundër personit. 30-vjeçi u vra brenda makinës dhe ishte mik i Ervis Martinaj dhe emri i tij është lakuar disa herë në ngjarje kriminale. Në total janë 5 njerëzit e Ervis Martinajt që janë ekzekutuar brenda pak viteve. Në shkurt ai ishte ndaluar nga forcat speciale “RENEA” në Fushë Milot pasi ishte shpallur në kërkim për vjedhje targash.

27 dhjetor, ekzekutimi në Peqin për hakmarrje?

Ekzekutimi me armë zjarri i Albi Bashaliu më 27 dhjetor, dyshohet se ka lidhje me hakmarrje. 35-vjeçari është vëllai Leonard Bashaliut, i cili në qershor të këtij viti vrau bashkëfshatarin e tij Albert Xhahysa. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 8 qershorit 2021, ku shkak u bënë motive mjaft banale. Bashaliu deklaroi para policisë se ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Ylber Xhahysës për shkak të një konflikti të pesë viteve më parë për gërvishtjen e makinës, që është përshkallëzuar në përdorimin e armës.

SHKARKO APP