Specialistët optimistë për situatën në Shqipëri, por masat skadojnë në fillim të 2021

Java e fundit shënoi një ulje të dukshme të përhapjes së Covid-19 në Shqipëri, pavarësisht uljes së temperaturave, çka sipas specialistëve përbënte një rrezik të shtuar për infektimin me SARS CoV-2. Cilat janë shkaqet që mund të ketë ndikuar? Distancimi social, vendosja e maskave, konsumimi i ushqimeve me vitamina C dhe D, apo edhe blerja e këtyre vitaminave në farmaci, si dhe shmangja e grumbullimeve masive ishin disa prej arsyeve, sipas ekspertëve.

Deri më tani, në Shqipëri janë shënuar 56 mijë raste pozitive me Covid-19 dhe më shumë se 1100 humbje jete, ndërsa janë shëruar 31 mijë persona. Javën e fundit vihet re një ulje e rasteve pozitive: më pak se 400 persona rezultojnë pozitivë në 24 orë, në kohën kur pak javë më parë shifrat pothuajse arritën në 1 mijë të infektuar në ditë.

Është shënuar edhe ulja e shtrimit të personave në spitale. Çfarë pritet të ndodhë në fillimin e vitit 2021? Shkollat do t’i rikthehen aktivitetit, sipas orientimit të Ministrisë së Arsimit që është ai i 11 janarit, siç pohon edhe Eugena Tomini i Institutit të Shëndetit Publik.

Afati i kufizimeve mbaron gjithashtu në ditët e para të 2021-shit. Shqipëria ende nuk ka një datë për mbërritjen e vaksinës anticovid apo cilën do të përdorë, edhe pse sipas Silvia Binos, të Institutit të Shëndetit Publik, “Pfizer dhe Moderna mbeten dy mundësi”. Mbetet të shihen sugjerimet e reja të Komitetit të Ekspertëve, të cilët do t’u referohen zhvillimeve të këtij fundviti për sa i përket shkallës së përhapjes së Covid-19.

SHKARKO APP