Specialisti i Shëndetit Publik: Herët ose vonë koronavirusi do të vijë edhe në Shqipëri

Herët ose vonë koronavirusi do të vijë edhe në Shqipëri. Paralajmërimi është bërë nga specialisti i Shëndetit Publik, Gazment Koduzi, i cili tha në studion e lajmeve në RTV ora se harta e virusit vdekje prurës vjen duke u zgjeruar.

Sipas tij, në vendin tonë nuk janë marrë masat e duhura për të parandaluar virusin.

Gazment Koduzi: Unë mendoj se disa masa janë marrë, por jo masat e nevojshme të plota. Koronavirusi është njësoj si viruset e tjera të gripit, por është më agresiv. Mënyra e transmetimit të tij, përveç mënyrës ajrore, ky virus reziston deri në 9 ditë në tavolinë apo në kartëmonedha. Masa e parë ishte që ta mbanim larg Shqipërisë, por duke qenë se jemi vend i hapur ai do të vijë, sepse janë italianë që vijnë në Shqipëri apo shqiptarë në Itali dhe herët apo vonë kemi për tu prekur, sepse u raportua rasti i parë në Kroaci dhe Austri. A i kemi marrë në masat e duhura? Unë mendoj se jo. Nëpër pikat e hyrjes matet temperatura, disa e kanë disa nuk e kanë. Në Muriqan nuk e kishin termometrin elektronik. Personat që mund të jenë bartës të virusit kanë një periudhë 14 ditë për ta shfaqur simptomat. Pra mund të jenë brenda këtij 14 ditëshit që nuk është shfaqur. Masa më efikase do të ishte që personat që vijnë nga zonat e kontaminuara të futen në karantinë 14 ditore. Mund të vihen në një karantinë të detyruara në një institucion shëndetësor, ose në karantinë të detyruar në familje, por jo vetëkarantim.

Sipas Koduzit, një masë sigurie është të futen anulimi i fluturimeve nga zonat e rrezikut, ose futja në karantimin e të gjithë pasagjerëve që vijnë nga këto zona.

Gazment Koduzi: Unë do të thoja që fluturimi nga Milano dhe Bergamo mund të ndërpriteshin. Mund të ishte një masë, pasi janë zona me rrezik të lartë. Në momentin që vjen një person, duhet të marrësh hapin tjetër. Rumania e ka vendosur që kushdo që vjen nga Italia duhet të futet 14 ditë në karantinim.

Sipas specialistit Koduzi, zona e karantinimit duhet të jenë sa më afër vendit ku janë zbuluar personat e infektuar dhe jashtë zonave të banuara.

Ai këshilloi të gjithë personat që shfaqin shenjat e gripit duhet ti drejtohen menjëherë mjekut të familjes.

/Ora News

SHKARKO APP