Spinoza, zëri që ndezi zemëratën e rabinëve, “heretiku” i shkishëruar dhe filozofi që e shenjtëroi mendimi

Albert Vataj 

Ai nuk ishte i vetmi që kishte ngritur krye dhe vinte në diskutim tekstet e shenjta, por mallkimi dhe sanksionet që u morën ndaj tij e shndërrojnë atë mendim të kurajshëm në një themel të solid, ku do të ngrihej kreshta e asaj filozofie, që për vite më radhë u hoq zvarrë, por që do të ngjitej aq lart sa të mos mund ta zbresë që atje as shkishërimi, linçimi dhe dëbimi. Kujtojmë se Spinoza jetoi në Holandën e një periudhe kur zbulimet shkencore, ndarjet fetare dhe ndryshimet e themelta politike revolucionarizuan natyrën dhe zbatimin e mendimit filozofik. Kjo panoramë historike dhe vërshimesh, politike, sociale dhe fetare, natyrshëm që ndikoi në personalitetin e tij, në veprën monumentale që shkroi, në atë testament të vyer të mendimit filozofik që la gjeneratave. Ai erdhi në filozofi si një “heretik” dhe mbeti përgjatë historisë së mendimit një zë i fuqishëm dhe origjinal për të merituar shenjtërinë e kurajës dhe lirisë.

Entuziazmin e pakufishëm për filozofinë e tij e shprehi Henri Hajne me këto fjalë:

“Duke lexuar Spinozën, na kaplon ndjenja thuajse vëzhgojmë natyrën në tërë jetësimin e qetësisë së saj. Ky është pyll i mendimeve, të larta dëri në qiell, majat e luleve të të cilave lëkunden valë-valë, ndërsa trungjet e pathyeshme shtrojnë rrënjët e tyre në tokën e amshueshme.Veprat e Spinozës rrezatojnë një frymë që nuk mund të shpjegohet. Ai na prek lehtë si puhia e kohëve të ardhshme. Ndoshta fryma e profetëve çifutë është qetësuar mbi paraardhësit e tyre të vonuar”.

“… liria e vërtetë vjen vetëm me njohjen e motiveve të veprimeve tona. Duke njohur natyrën e ndikimit të dëshirës mbi pasionin, ne pastaj mund të jemi në gjendje të përpiqemi për paqen e mendjes që sjell pa-anshmëri të arsyes….Pra, liria nuk është e lehtë, ashtu si të gjitha gjërat e tjera fisnike, aq të vështira sa edhe të rralla”.

Për Baruch Spinozën filozofia nuk ishte një armë, por një mënyrë jetese, një urdhëresë e shenjtë, shërbyesit e së cilës udhëtonin përnga një bekim suprem e të sigurtë. Por çdo urdhër pret një sakrificë, dhe ajo çfarë kërkon filozofia, pranimi nga njeriu i së vërtetës si udhëzuesi dhe synimi i tij, as nuk ndërmerret kollaj e as nuk mirëkuptohet lehtë nga ata që nuk e pranojnë atë. Prandaj njerëzve mund t’i duket si një sabotues shpirtëror, përmbysës i gjërave të ngulitura ligjërisht dhe avokat i djallit. I tillë ishte Spinoza për bashkëkohësit e tij.

Me origjinë nga një familje çifute, e cila ka ardhur nga Portugalia. Spinoza qysh në rini i përkushtohet studimit të Biblës, të Talmudit dhe të filozofisë skolastike. Për shkak të qëndrimit të tij kritik racional ndaj këtyre teksteve, mendimi dhe qëndrimi i tij ngre stuhi zemrimi në radhët kryeparëve fetarë dhe të qarqeve teologjike në përgjithësi. Është viti 1656, pas sugjerimeve të pasuksesshme që t’i kthehet fesë së etërve, u mallkua me anatemën më të rëndë dhe u përjashtua nga komuna çifute:

“Le të jetë i mallkuar ditën dhe le të jetë i mallkuar natën. Le të jetë i mallkuar kur shtrihet dhe le të jetë i mallkuar kur ngrihet. Le të jetë i mallkuar kur niset dhe le të jetë i mallkuar kur kthehet. Perëndia mos e faltë. Zemërimi dhe tërbimi rënçin mbi këtë njeri duke zbatuar mbi të gjithë mallkimin e shkruar në Librin e Ligjit. Perëndia i’a shoftë emrin nën qiej. Perëndia e shfarostë duke e ndarë nga gjithë fiset e Izraelit, me gjithë mallkimin qiellor të shkruar në Librin e Ligjit, dhe ju që rrini pas Perëndisë, të gjithë ju e pafshi këtë dritë.

Ju urdhërojmë që askush me të të mos komunikojë as me gojë as me shkrim askush të mos qëndrojë me të nën një kulm ose katër bërryla afër tij, askush të mos lexojë veprën të cilën e ka hartuar ai”.

Këtij mallkimi Spinoza i’u përgjigj:

“Shumë mirë. Kjo nuk më detyron të bëj asgjë që nuk do ta kisha bërë me dëshirën time, po të mos i druhesha një skandali. Gjithsesi Spinozën nuk e ngazëlleu ky konflik. Pas shkishërimit ai i’u drejtua të vjetërve të sinagogës me një Apologji, në të cilën i mbrojti si dogmatike pikpamjet e tij dhe i dënoi rabinët që e akuzonin “për praktika të tmerrshme e paudhësi të tjera” vetëm ngase kishte shpërfillur ritet ceremoniale. Fatkeqësisht  kjo apologji nuk mbërritur deri në ditë tona, megjithatë, studjuesit mendojnë se ajo është e përfshirë në “Traktatin teologjiko-politik”. I përsekutuar dhe i përulur si “princ ateist”, “rebel” dhe “mishërim i satanait”, veprat e të cilit “meritojnë të hidhen në errësirën e ferrit”, i njollosur, i mashtruar, i tërhequr në vete, Spinoza refuzon të bindej. Duke ju përmbajtur situatë së krijuar, duke ju përgjigjur kërkesës së rabinëve dhe klrit kalvinist, të cilët më shumë se të fyer ishin të sfiduar nga autoriteti i papërkulshëm i filozofit, e përzunë atë nga Amstërdami, ku do të rikthehej më 1660 për ta fituar bukën e gojës me mësime private të filozofisë karteziane dhe duke latuar lente. Gjatë kësaj përiudhë, Spinoza do të sillte në jetë “Traktatin e shkurtër mbi Zotin, njeriun dhe mirëqënien e tij.

Mes një terreni rrefuzues të klerit dhe një opinioni që nisi t’i qasej për mendimet e tij, Spinoza punoi intensivisht duke mbetur deri në fund një simbol i njeriut të ditur. Te e vona, motrës Rebeka ai i la tërë trashëgimin e babait, duke mbajtur për vete vetëm një shtrat dhe një tavolinë.Vdiq në moshën 45 vjeçare nga tuberkulozi në kohën kur iu botuan vetëm dy vepra: “Parimet e filozofisë së Rene Dekartit”, në të cilën paraqet në një mënyrë specifike dhe të pavarur mësimin e Dekartit, dhe “Traktatin teologjiko-politik”, të cilin për shkak të kritikës së ashpër dhe të tezave liberale e shtypi në anonimat.

Në veprën e tij kapitale dhe të shtypur pas vdekjes “Etika e paraqitur me rendin gjeometrik” (që përmban 5 pjesë: Mbi Perëndinë; Mbi natyrën dhe origjinën e shpirtit;

Mbi origjinën dhe natyrën e afekteve; Mbi jolirinë e njeriut ose mbi fuqinë e afekteve;

Mbi fuqinë gnoseologjike ose mbi lirinë e njeriut)

Spinza përpiqet rigorozisht dhe në mënyrë racionaliste dhe “gjeometrike” të nxjerrë tërë filozofinë e tij nga numri i caktuar i përkufizimeve, i aksiomave, i propozicioneve dhe i vërtetimeve.

Ideja themelore e filozoflsë së tij, e shprehur në pjesën e parë të Etikës, është pohimi se ekziston, përkundër dualizmit të Dekartit, vetëm një substancë e pafund. Ekzistenca e kësaj substance rrjedh nga vetë nocioni i saj dhe është shkak i vetvetes (causa sui). Si një nga nocionet qëndrore të filozofisë së Spinozes, causa sui përmban në vete refuzimin e secilit shkak të jashtëm (ashtu edhe të perëndisë si transcendencë të natyrës vetëmjaftueshmërinë dhe autonominë e natyrës, si dhe të unitetit të botës, dhe me këtë në thelb është përcaktuar tërë determinizmi monistik i Spinozes, përkatësisht nocioni i domosdoshmërisë së lirisë. Perëndia ose natyra (Deus sive natura) nuk është jashtë ose mbi gjërat, por është në të, dhe së këtejmi ajo dhe natyra që krijon (natura naturans) lidhur me të gjitha moduset e atributeve të perëndisë, domethënë në natyrën e krijuar (natura naturata). Spinoza quan atribut atë “që arsyeja përcepton në substancë, thua se përbën esencën e saj (përkufizimi IV), kurse nga atributet e shumta të pafund të substancës së pafundme arsyeja jonë njeh vetëm dy: shtrirjen dhe të menduarit.

Moduset e këtyre atributeve, ndërkaq, janë si gjëra të fundme, gjendjet e ndryshueshme dhe tranzitore të substancës ose forma fenomenale të esencës të saj të amshueshme dhe në vetvete të ndryshueshme. Modifikimet më të rëndësishme të të menduarit janë arsyeja dhe vullneti, kurse modifikimet më të rëndësishme të shtrirjes janë qetësia dhe lëvizja.

Tërë të ndodhurit në botën materiale dhe shpirtërore është rigorozisht i determinuar, të gjitha fenomenet kauzalisht janë të lidhura dhe çdo modus i të menduarit është i caktuar nga modusi tjetër i të menduarit, kurse modusi i shtrirjes nga modusi tjetër i shtrirjes. Meqë, ndërkaq, ekziston vetëm një substancë, të dy vargjet kauzale (materiale dhe shpirtërore) në realitet, janë një proces i vështruar nga dy aspekte të ndryshme. Kështu paralelizmi psikofizik i Spinozës i shprehur me qëndrimin se rendi dhe lidhja e ideve janë të njëjtë sikurse rendi dhe lidhja e sendeve (ordo et connexio idearum idem est ac ordo et counexio rerum). Meqë fryma njerëzore është modus rigorozisht i determinuar i të menduarit, atëherë nuk ekziston as liria e vullnetit (madje as perëndia kurrgjë “nuk bën nga vullneti i lirë”), ndërsa edhe vetë ideja e vullnetit të lirë bazohet në mosnjohjen e të gjitha shkaqeve. “Sikur guri që bie të kishte vetëdije, do të konsideronte se rënia e tij është rezultat i vullnetit të lirë të tij”.

Gjendjet afektive (të cilat Spinoza i nxjerr “me rendin gjeometrik” nga tri afekte themelore: gëzimi, pikëllimi dhe nga epshi) janë formë e parë e njohjes dhe i veprimtarisë së vetëdijshme, çka, ndërkaq, ofrojnë “njohje joadekuate”. Spinoza, i cili konsideron se “urrejta kurrë nuk mund të jetë e mirë” (XLV) dhe i cili mendon se virtyti nuk është gjë tjetër veçse “të veprosh sipas ligjeve të natyrës vetjake”, jep një analizë të jashtëzakonshme të afekteve njerëzore – të cilat i barazon me gjendjen e skllavërisë njerëzore.

Njeriu i varur nga afektet nuk është zot i vetvetes, por i nënshtrohet fatit, në pushtetin e të cilit gjendet ashtu sa që shpesh është i “detyruar të shkoj pas asaj që është më e keqe, ndonëse sheh atë që është më e mirë”. Por prapëseprapë, afekti mund të frenohet ose të eliminohet vetëm “me afektin e kundërt dhe më të fortë nga afekti që duhet frenuar”. Njëkohësisht, ndërkaq, porsa të kemi idenë e qartë dhe të kthjellët mbi afektin e caktuar, ai pushon të jetë gjendje e pësimit, dhe kështu kjo është më tepër në pushtetin tonë, dhe shpirti përsos aq më pak nga ai sa më të njohur ta kemi. Arsyeja, e cila tejkalon afektet e vërteton vetveten dhe gjen në vete kriterin e vërtetësisë, është shkalla e dytë më e lartë e njohjes.

Shkalla e tretë, e cila është manifestimi më i lartë i frymës njerëzore, me anën e të cilit ai arrin deri te vet thelbi i çështjes, deri te njohja e perëndisë ose e natyrës, është njohje intuitive, përkatësisht vëzhgim i sendeve sub specie aeternitatis. Në këtë shkallë lartësohemi deri te dashuria intelektuale ndaj perëndisë (amor Dei intelectualis) ose, që për Spinozën është e njëjtë, deri te njohja e vërtet e natyrës, në të cilën gjendet qetësia absolute dhe pastërtia e shpirtit. Asnjë dashuri përveç kësaj nuk është e amshueshme, kurse “në natyrë nuk ekziston asgjë që është në kundërshtim me këtë dashuri intelektuale ose që do të mund ta zhdukte”. Njëkohësisht, sa më shumë gjëra “njeh njohja me llojin e dytë dhe të tretë të njohjes aq më pak pëson nga afektet, të cilat janë të këqija, dhe më pak frikësohet nga vdekja”. Lumturia e fituar kështu nuk është shpërblim për virtytin, “por është vetë virtyti, dhe ne nuk i gëzohemi për shkak se frenojmë epshet, por, përkundrazi, për shkak se i gëzohemi, se mund t’i frenojmë epshet”.

Në Traktatin teologjiko-politik dhe në Traktatin politik të vet, Spinoza dha jo vetëm kritikën brilante të lëvizjeve të përgjithshme ideore dhe shoqërore të kohës së tij, por me mendjen e tij të lirë dhe depërtuse përshkroi disa fenomene sociale në një mënyrë që edhe sot në shumë aspekte është aktuale. Pasojat e të gjitha formave të bestytnive janë fatale për njerëzimin si në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve brenda një shteti, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërmjet popujve. Paragjykimet nacionale dhe fetare mbajnë njerëzit të mashtruar, i përulin ngase u rrëmbejnë përdorimin e lirë të së mirës më të lartë të tyre – arsyes, krijojnë armiqësi reciproke dhe urrejtje, shkaktojnë luftëra dhe gjakderdhje. “Qeverisja monarkiste” ka dobi nga përkrahjet e produkteve fantastike të bestytnive, duke i sygjeruar popullit që nën formën e religjionit të nderojë mbretërit e vet si perënditë. Për Spinozën “të gjithë popujt janë të barabartë lidhur me arsyen dhe virtytet e vërteta”, kurse barazia, pa të cilën medoemos rrënohet liria e përgjithshme, nuk mund të mbahet ashtu që “ndonjë njeriu, të famshëm për shkak të virtytit të tij, me ligj t’i bëhen nderime të jashtëzakonshme”. “Sa u përket monumenteve, triumfit dhe nxitjeve të tjera të virtytit, këto janë më tepër shenja të skllavërisë sesa të lirisë. Sepse shpërblimet për nderë u jepen skllavërve dhe jo njerëzve të lirë”.

E hazuar në mënyrë panteiste dhe racionaliste, filozofia e Spinozës kërkoi zgjidhje për çështjet më të vështira filozofike dhe njerëzore në kuadrin e botës ekzistuese reale, dhe ky “përfaqësues i shkëlqyeshëm i dialektikës” nuk kënaqi, sikurse paraardhësit e tij skolastikë (madje edhe vetë Dekarti) me pseudozgjidhjet gnoseo-logjike, të cilat u mundësuan me pohimin mbi ekzistimin edhe të gjithëfuqisë të ndonjë qenieje transcendente. Spinoza megjithatë “thelbin ndijor antiteologjik të natyrës e kuptoi si thelb metafizik, teologjik, përkatësisht nga natyra bëri hyjni” (Plehanovi). Pa dyshim, i penguar dhe i kufizuar nga koha dhe rrethanat e tij, si dhe nga trashëgimi filozofik i shekullit të mesëm (që vërehet, para së gjithash, në terminologjinë e tij), duke mos kuptuar sa duhet përcaktimet themelore të thelbit shoqëror të njeriut (duke e reduktuar shpesh vetëm në pjesë të natyrës), duke u zhytur diku-diku në gnoseologji racionaliste të njëanshme, si dhe në determinizmin mekanik, Spinoza, megjithëkëtë, nga aspekti i mundësive dhe i perspektivave historike të kohës në të cilën jetoi, është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm dhe më konsekuentë të filozofisë racionaliste dhe moniste në përgjithësi. Ndikimi i mendimit të tij është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe është i qartë në një seri veprash letrare dhe filozofike deri në ditët tona. Lesingu vërtetoi se “filozofia e Spinozës të cilin kompatriotët tanë e trajtojnë si një qen të ngordhur” – është edhe filozofia e tij; për të folën me entuziazëm edhe Herderi, Gëteja, Fihteja, Shelingu, Hegeli, Shlajermaheri dhe shumë të tjerë.

 

SHKARKO APP