Spiropali: As Berisha s’është tradhtar, por do më shumë partinë se atdheun, Nokën para flamurit
Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, gjatë fjalës së saj, në seancën plenare të ditës së sotme, është shprehur se Sali Berisha nuk është tradhëtar, por e akuzoi ish-kryeministrin se ka dashur pushtetin më shumë se atdheun.
Ndër të tjera ajo tha se Berisha ka zgjedhur partinë para atdheut dhe deputetin Flamur Noka para Flamurit.
“Selam Sali se dhe për ty e kam. Kurrë ndonjëherë tjetër nuk ka qenë më e madhe, shqiptaria e dy anëve të Drinit. Si kurrë më parë, vërtetë me një mijë siklete, shqiptaria është me duart të zgjidhura sot. Sot Shqipëria ulet me dinjitet, aty ku më parë do të ishte e pamendueshme të afroheshim. Java e fundit e shtatorit ishte agresion që frymëzohej nga fashizmi i ethshëm i Millosheviçit. Një polic i Republikës, u vra. Brenda pak orësh policia e Kosovës dha përgjigjen e duhur. Kusuri u largua matanë kufirit. Duke dënuar me forcë agresionin që në ditën e parë, dhe jo siç thonë ça që marrin peng banaqet e mediave. Të ngrihemi mbi retorikën që shihet nga data e zgjedhjeve. Në këtë sallë është konsumuar shumë retorikë, herë shterpë, e herë pa fjalë dhe shije. Këtu është derdhur më shumë helm se sa ka ujë Drini në pranverë. Nuk besoj se në botën e sotme ka heronj të gjallë, pasi të gjallët kanë kohë të gabojnë. Nuk besoj se në vend ka tradhtar. Për mua, Saliu që është delenxhiu më i madh, s’është tradhtar, por ka dashur më shumë pushtetin e tij sesa atdheun. Ai zgjedh partinë para atdheun dhe Nokën para Flamurit, meqë e pashë këtu.”, tha Spiropali.