Spiropali për propozimin e Beqajt: Është deformuar për rrjetet sociale
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha për “Ditari” në A2 se propozimi i Ilir Beqajt “është deformuar, ndryshuar dhe stilizuar për rrjetet sociale”.
“Opozita shfrytëzon gjithçka, edhe në kohë pandemie. Por, mund të themi me plot gojën se qeveria nuk ka asnjë plan për të prekur pensionet dhe pagat”, u shpreh ministrja Spiropali.
Kur u pyet nëse qeveria është 100% e bindur për rihapjen në këtë masë që është parë në vendin tonë nga e hëna, Spiropali tha: “Nuk do të bëjmë asgjë të nxituar, nuk kemi ndërmend të lirojmë masat dhe të mos mbajmë përgjegjësi për jetën e njerëzve. Deri më tani ka qenë një menaxhim i jashtëzakonshëm, si nga mjekët ashtu edhe nga qeveria jo vetëm për të përmbajtur nën kontroll furinë e pandemisë, por edhe për të siguruar që të jemi të kujdesshëm në lirimin e masave. Lajmi i mirë është që numri i të infektuarve është më i vogël se ai i atyre që shërohen. Ekonomia duhet të fillojë të funksionojë, duke ndjekur rregullat”.
“Po mendojmë për aspektin humanitar, por edhe atë ekonomik”, shtoi Spiropali.