“Spital dhe xhami…po Erdogan çfarë kërkon?” Balliu: Gjithçka në Shqipëri do ta marrë me çmimin e fruta-perimeve
Përkundër pritjes së fryrë në Ankara, për botuesin Fahri Balliu vizita e kryeministrit Edi Rama ishte në nivelin e një zëvendësministri.
Këtë ai e lidh me produktin final, marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve, të cilat sipas tij disa kanë ekzistuar ndërsa të tjerat janë periferike.
Balliu: Vizita e Ramës në Turqi ka vënë pikëpyetje dhe për vizitën në Greqi sepse pritja historike-folklorike nuk përputhet fare me marrëveshjet që janë firmosur. Teksti i atyre marrëveshjeve është për vizitën e ndonjë zëvendësministri të Jashtëm apo zëvendësministri të Ekonomisë sepse Rama nuk e kupton që diplomacia turke është diplomaci perandorike, ka një gjuhë që nuk i përfshin aventurat, amatorizmin dhe frymëzimin e atij si të dështuar. Ka ligje dhe protokoll shumë të fortë. Këtij i kanë referuar sipas kokës që ka, brekusheve që vesh dhe paraqitjes sharlataneske lart e poshtë me atlete në vende me protokoll këpucësh. E kanë parë që ky është kollaj ta frysh dhe ta hipësh në kalë. Marrëveshjet nuk thonë asgjë, ajo e 100 pacientëve ka qenë. Kurse spitali është një gjë qesharake që ky e kërkon për zgjedhjet në Fier sepse ka shumë probleme atje dhe ai është një spital fushor që unë kam një pikëpyetje se për çfarë duhet dhe pse duhet ta bëjnë turqit atë. Marrëveshjet dhe pritja janë në kontraditë për të vërtetën që pasqyrojnë por ky nuk është faji i turqve por i fizionomisë qesharake artistiko-adoleshente të këtij që nuk ka lidhje me shtetarin dhe staturën e shtetarit.
I ftuar në Rtv Ora, Balliu komentoi edhe deklaratat e njerëzve pranë kryeministrit që vizitën e Ramës e lidhin me rolin e tij si ndërmjetës në krizën greko-turke.
Balliu: Rama po hyn në fazën e fundit që e pësojnë këta autokratët që ikin me bisht në shalë. Ai duhet të mbahet me paterica apo me një abuzim të teksteve të njerëzve të tij që Rama ka këtë rol apo atë rol.Diplomacia perandorake di të përfitojë dhe di të mos lëshojë. Ky nuk kupton as njërën dhe as tjetrën. Ky jep me qejf çdo gjë që i kërkojnë, ky nuk ka dhimbje nacionale, nuk e njeh. Për të nuk ekziston kombi por konto bankare, dëshirat dhe pasionet e subkoshiencës që zbërthen në qindra vese dhe orgji që nuk kanë lidhje me politikën. Maksimumi që di ky është jep leje ndërtimi dhe merr lekët, jep koncesion dhe merr përqindje, gjej ku do ti fshehësh dhe një nga vendet ku mund ti fshehë është Erdogani dhe Turqia bashkë me Qipron e tij.
Në Turqi, Rama mori si dhuratë ndërtimin e spitalit të Fierit dhe rikonstruksionin e Xhamisë së Plumbit. I pyetur se çfarë kërkon Erdogan në këmbim të tyre, Balliu shprehet:
Balliu: Erdogan çfarëdo që do të marrë nga Shqipëria e merr me çmimin minimal, me çmimin e fruta-zarzavateve në orën 6 kur ngryset. Ky ka hall të shtyjë ditët. Asnjë nuk e do dhe asnjë nuk e pranon, vetëm e plaçkit. Turqia është një fuqi e madhe ushtarake dhe ekonomike, ato si ka asgjë. Por ato që kërkon dhe përpiqet të fusë në Shqipëri i ka jashtëzakonisht të shtrenjta. Po fut frymën e vet neo-otomane, stilin e vet ku ky ishte pa Gjykatë Kushtetuese. Nuk duhet të ngatërrojmë Turqinë me Erdoganin, është edhe 1 apo 2 vjet, ka humbur Stambollin, Ankaranë, qytetet më të mëdha, nuk e do vetë Turqia. Erdogan i dha spitalin fushor që nuk e dimë për çfarë do të përdoret. Spitalin fushor me xhamitë i ka të tijat ai. Ai mendon vetëm për erdoganizmin në Shqipëri, nuk mendon as për Turqinë në Shqipëri. Një shtet mik sillet si mik, jo si pushtues siç do të sillet Erdogani me tezat Kosova është Turqi.
Një nga dakordësitë e arritura mes dy shteteve ishte edhe izolimi i FETO-s, duke nisur nga shkollat.
Balliu: Këtu Erdogani e detyron atë, kjo tregon varësinë e tij, enigmën e marrëdhënien e të dy atyre. Shqiptarët dhe Shqipëria Turqinë kemaliste e ka dashur, e do dhe do ta ketë mikeshë dhe mik të përjetshëm por nuk do të ketë kurrë anti-kemalizimin, anti-demokracinë dhe pazaret që bën Erdogani me Rusinë dhe Iranin në kurriz të pjesëmarrjes së tij në NATO. Është blerës i madh i armëve ruse duke qenë anëtar i NATO-s. Në këtë çorbë është futur dhe Rama me hipjen në kalë dhe zbritjen në gomar. Për Ramën Shqipëria nuk është më në Europë, është tek gjembashët e Anadollit. Rama sot është rifreskim i figurës së Nastradinit që e ka vendlindjen në Turqi, atje e ka vendin ai.