Spitalet e Shkodrës dhe Durrësit do të presin pacientët me Covid, qytetarët: Njësoj si në Tiranë
Tejmbushja e katër spitaleve Covid në Tiranë ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të hapë pranimet e pacientëve edhe në spitalet rajonale në Shkodër dhe Durrës. Ministrja e Shëndetësisë tha se shtimi i pacientëve me simptoma të rënda ezauroi kapacitetet spitalore. Manastirliu njoftoi edhe mbërritjen e 7020 dozave të tjera të vaksinës nga Pfizer.
Mbushja e spitaleve Covid në Tiranë ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të hapë pranimet e pacientëve të kësaj kategorie në Durrës dhe në Shkodër.
Nga foltorja e parlamentit ministrja, Ogerta Manastirliu, tha se nëse do të jetë e nevojshme do të hapen edhe spitalet e tjera rajonale.
“Do të aktivizojmë nga sot spitalet rajonale, duke filluar me Durrësin dhe Shkodrën dhe më tej me Vlorë, Korçën dhe Elbasanin.”
Por në Shkodër shërbimimi mjekësor për të prekurit nga Covid, është dhënë edhe më herët.
Brenda mjediseve të Infektivit dhe Reanimacionit ka pacientë të cilët ndodhen në kujdesin intensiv të mjekëve.
Të afërm të pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv thonë se kanë besim tek çdo spital i vendit.
“Ndoshta do të ishte më mirë atje se atje banon. Edhe këtu e njëjta gjë është.”
“Është organizuar nga shteti që do të çojnë nga Tirana shumë të specializuar.”
Por ka edhe nga ata që ndihen të zgjënjyer nga shërbimi tek Infektivi dhe kërkojnë ta transferojnë të afërmin e tyre në spital privat.
I tillë është rasti i këtij doktori, i cili ankohet për shërbimin.
“Do ta largoj, do ti shërbej më mirë. Po ma zvarrisin, nuk dua të humbas minutat.”
Në 4 strukturat spitalore në Tiranë janë të shtruar rreth 530 pacientë të cilët kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor. Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë njoftoi mbërritjen e dozave të vaksinës Pfizer.
“7020 doza vaksinash vijnë sot nga kontrata me Pfizer. Siç lidhëm kontrata me Pfizer do të vijojmë me COVAX”.
Deri më 13 shkurt janë vaksinuar 689 anëtarë të personelit shëndetësor që kanë marrë dozën e parë dhe 558 të tjerë që kanë marrë dozën e dytë. /Ora News