”Spiunët” rus do merrnin flori për sekretet tona? Del një pistë e re e hetimit

Dy rusët dhe shtetasi ukrainas, në Shqipëri nuk erdhën kurrësesi për turizëm dhe për objektet e komunizmit. Krahas 1 fisheku 5.56 mm, 6.000 dollarëve disa telefonave celularë, janë sekuestruar edhe tre lingota ari. Gjetja e tre lingotave të arit ka hapur një pistë të re hetimi. Kush është personi apo personat në Shqipëri që Rusia ishte e gatshme që t’i paguante me ar për informacionin që do të jepte për objektet strategjike dhe bazat ushtarake në Shqipëri?

Pesha e tyre është 10, 20 dhe 100 gram ar. Pavarësisht se në dukje pesha është modeste, vlera e tyre në tregun e sotëm të shtrenjtuar të metalit të verdhë shkon në më shumë se 12 mijë euro. Më shumë se sa vlera, është forma që ka shtuar dyshimet, se në rrjetin e agjentëve rusë, mund të ketë rënë një peshk i madh shqiptar.

Kjo ka bërë që autoritetet hetimore t’i kushtojnë vëmendje lingotave, që ndryshe nga paratë cash, duket të jenë kërkuar specifikisht nga burimi, i cili do të tradhtonte shtetin shqiptar dhe shiste sekretet e tij. Sipas këtij përshkrimi, burimi duket të jetë i nivelit të lartë, njohës i mirë i informacioneve të klasifikuara dhe me përvojë në fushën e agjenturës sekrete.

Hetimi ndaj dy rusëve dhe një ukrainasi është fokusuar tek interesi i tyre i posaçëm ndaj digave dhe baseneve ujore, përfshirë dhe Bovillën, që është basen uji i pijshëm për Tiranën, ndërkohë që një prej tre të arrestuarve sllavë, kishte profesionin kimist. /TCH/

SHKARKO APP