“Stabiliteti financiar vjen i pari”, Sejko: Mos prisni që bankat të mbajnë gjithë koston e krizës
Kriza ekonomike që po pason epideminë e koronavirusit nuk duhet të cënojë stabilitetin e sistemit financiar të vendit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të mërkurën se nuk duhet pritur që e gjithë pesha e pasojave të kësaj krize t’i ngarkohet sistemit bankar. Guvernatori tha se bankat duhet të gjejnë një ekuilibër të drejtë mes mbështetjes së kredimarrësve dhe nevojës për të ruajtur shëndetin e bilanceve të veta.
Në mars të këtij viti, Banka e Shqipërisë krijoi kushtet rregullatore që bankat të shtynin këstet e kredive të bizneseve dhe individëve deri në fund të muajit maj. Deri tani, bankat kanë shtyrë mbi 2 miliardë euro portofol kredie të biznesit, por trysnia për shtyrje të mëtejshme ngelet e fortë, sidomos për sektorët më të prekur nga kriza, si turizmi, fasonet apo transporti. Guvernatori Sejko u shpreh i gatshëm për të lehtësuar këtë proces edhe më tej, në bashkëpunim me bankat tregtare.
Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi, tha se sektori bankar është i gatshëm të mbështesë klientët në vështirësi për shkak të situatës së krijuar, por theksoi se nevojitet më shumë qartësi në skemat e mbështetjes që do të garantohen nga qeveria shqiptare. Pedrazzi tha se deri tani jo të gjitha premtimet e qeverisë janë reflektuar në vendimet zyrtare të marra, ndaj kërkoi një përpjekje më të madhe nga qeveria për t’i bërë sa më efikase dhe të dobishme për bizneset skemat e ofruara.