Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore
Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën, pak para mesnatës, ishte sulmuar stacioni policor në Zveçan, pasi drejt oborrit të stacionit ishin hedhur dy granata dara nga persona të panjohur.
Sipas Policisë, sulmi ka shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk ka lënë asnjë të lënduar.
“Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës të mërkurën.
Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi në fshatin Izvor të Zveçanit, në veriun e banuar me shumicë serbe, po ndërtohej një nënstacion i ri policor.
Gjatë aktivitetit për vendosjen e gurthemelit, Kurti kishte thënë se një javë më parë ishte vendosur edhe një gurthemel për stacionin e policisë mbi urën e lumit Bistrica, e cila ndodhet në rrugën kryesore që çon në kalimin kufitar të Jarinjës. Në këtë pikë ndodhen pjesëtarë të njësive speciale dhe të rregullta të Policia e Kosovës.
Përfaqësuesit e komunitetit serb kundërshtojnë ndërtimin e stacioneve policore ose bazave policore, me arsyetimin se ata janë të ekspozuar ndaj “presioneve dhe diskriminimit” nga ana e Policisë.
Gjithashtu, sektori civil serb ka kërkuar kohët e fundit nga komuniteti ndërkombëtar që t’u kushtojë vëmendje ankesave të qytetarëve për sjelljen e Policisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si “joprofesionale” dhe “të politizuar”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka vlerësuar ndërtimin e stacioneve të reja si “një mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”.
Ai po ashtu ka deklaruar se autoritetet e Kosovës “kanë ndryshuar në mënyrë të dhunshme strukturën etnike të policisë” në veri të Kosovës, dhe ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit parashikon që në këtë pjesë të dislokohen policë nga radhët e komunitetit serb.
Në fillim të nëntorit 2022, mbi 500 policë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës dhanë dorëheqjen si pjesë e një aksioni kolektiv për t’u larguar nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave nga ato të lëshuara nga Serbia, në ato të Kosovës.
Që nga ajo kohë, në veri të Kosovës janë ndodhur kriza të shumta, që kulmuan me një sulm të armatosur të një grupi të serbëve ndaj Policisë së Kosovës në shtator 2023, kur u vra një polic i Kosovës.
Ndërkohë, në veri janë dërguar kryesisht policë nga komuniteti shqiptar, si dhe pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
REL