Stadiumi “Air Albania”, ironia e ish-ministrit: Plotëson kushtet të quhet Erdogan
Pasi stadiumi i ri në kryeqytet u pagëzua me emrin “Air Albania”, vjen një reagim gjithë ironi nga ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.
Përmes një postimi në Facebook, Manjani thekson se stadiumi që dikur quhej “Qemal Stafa” plotëson të gjitha kushtet të quhet Erdogan.
Sipas Manjanit, kjo ndërtesë është një ndërtim i dhunshëm dhe i sajuar, me stil dhe mall turk.
“Stadiumi i plotëson të gjitha kushtet që të quhet Erdogan, jo Air Albania!
Është ndërtim i dhunshëm; i sajuar; i ndërtuar për qejf të udhëheqësit; me pare pa hesap; me kontrata të dyshimta; me stil e mall turk dhe kundër dëshirës së qytetarisë, pra fiks ERDOGAN.
Do kishte shumë më kuptim emri Erdogan sesa budallëku Air Albania, rast unik ky që stadiumit i vihet emri i një kompanie ajrore!
Do kishte pa dyshim më shumë kuptim emri simbol i dhunës Erdogan sesa emri i qytetarisë Qemal Stafa.
Nejse kështu ndodh kur e ke kryeministrin gjys-artist e gjys-sportist. Nuk është tamam për asnjërën…”, shkruan Manjani.