Stafet përgatiten për ndarjen e turneve. Ministria: Po xhirojmë orët online

Pasi Komiteti i Ekspertëve për pandeminë e Covid-19 bëri publik udhëzimin që duhet të zbatojnë shkollat në Republikën e Shqipërisë, pak ditë më parë Ministria e Arsimit publikoi draftin për vitin e ri shkollor 2020-2021. Tre janë skenarët e përgatitur për mësim në kohë të pandemisë së Covid-19, në të cilën janë përcaktuar qartë sesi do zhvillohet mësimi dhe detyrat e të gjithë aktorëve në këtë proces që nga drejtoria e shkollës deri tek sanitarja, por edhe tek prindërit si një nga hallkat më kryesore.

Shkollat në të gjithë vendin po përgatiten për fillimin e mësimit duke u bazuar në një draft paraprak pasi Ministria e Arsimit duket se e ka lënë vendimin për në ditët e fundit. Mësohet se shkollat të cilat parashikohet të hapin dyert për të pritur nxënësit në shtator janë dezinfektuar dhe po punohet për ndarjen e klasave në grupe të vogla.

Sipas raportit paraprak, ndarja do të bëhet sipas rendit alfabetik ç’ka për prindërit me disa fëmijë bëhet i vështirë për shoqërimin e tyre në orare të ndryshme. Ministria e Arsimit ende nuk ka dhënë një zgjidhje për transportin e mësuesve në zonat periferike ndërkohë që linjat e transportit publik shton dhe rrezikun e infektimit të tyre dhe në rastin më të keq dhe fëmijëve. Tekstet shkollore janë tjetër shqetësim që trajtojnë përfaqësuesit e sindikatave të arsimit pasi një pjesë e tyre janë të plotësuar me stilolaps nga nxënësit që i kanë përdorur një vit më parë.

Në kushte të tilla, komisioni i administrimit të teksteve duhet që të kishte bërë porositë për të gjitha nevojat në mënyrë që të gjithë nxënësit të jenë të gjithë të pajisur me libra. Ministria e Arsimit ka bërë një sqarim lidhur me nisjen e vitit të ri shkollor. Siç dihet janë disa versione sesi ai do të zhvillohet për shkak të kushteve të diktuara nga koronavirusi por për çdo rast, sipas Ministrisë së Arsimit, po xhirohen orët mësimore për t’u transmetuar në RTSH shkolla.

SHKARKO APP