”Stërr do ja bëjmë Ramës”, Ndoka: Qeveria nuk bie me 3 protesta

Kreu i Demokristjanëve, Nard Ndoka thotë se mosbindja civile me bllokimin e akseve rrugore, është për të treguar se në Shqipëri ka një problem, për faktin se kryeministri ka bllokuar sistemin, ka kapur drejtësinë dhe ka bllokuar rotacionin.

”Protesta ishte sensibilizimi në tërësi. Ishte një plan i mire koordinuar me të gjithë aktorët politikë, duke vendosur edhe një lloj standardi për ne pasi mosbindja civile ka forma dhe mënyra nga më të ndryshmet, nuk është vetëm përplasje, ballafaqime, dhunë. Nuk është ky qëllimi ynë. Por nëse ne kemi një kryeministër përballë që nuk reagon nga këto protesta. Nëse ai nuk e kupton me prova dhe fakte që në Durrës ka tre deputetë që kanë dalë me vota të grupeve kriminale. Një kryeministër i kapur në përmasa të tilla kriminale, që është diktuar nga grupet kriminale për të futur një kandidat në listë, ai duhej të largohej menjëherë”, deklaroi Ndoka.

I pyetur nëse me këtë formë proteste do të ndryshojë qasja e kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës, Ndoka tha se Rama është i papërgjegjshëm. Kreu i Demokristjanëve tha se ai nuk hyn në kategorinëq e politikanëve që beson se Rama rrëzohet me 1 apo 2 protesta. Ai më tej shtoi se hapat që do të ndiqen në vijim nga opozita do të shkojnë deri në ”ballafaqim në Parlament dhëmbë për dhëmbë e ballazi me Edi Ramën duke ia bërë atij stërr”. Kjo pasi sipas Ndokës, kryeministri nuk e njeh Parlamentin, nuk e njeh drejtësinë, as sistemin gjyqësor.

SHKARKO APP