Stilistja me famë botërore Elisabetta Franchin viziton Tiranën/ Erion Veliaj: Fat të kesh fqinj të mirë që “injektojnë” modë, kulturë dhe jo luftë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim stilisten italiane Elisabetta Franchi-n, një emër i madh i modës, jo vetëm në vendin fqinj, por në mbarë botën, të cilës i dhuroi edhe “Kullën e Sahatit”.
“Është një kënaqësi e veçantë që pritëm Elisabetta Franchin, një emër shumë i madh i modës. Ne flasim shumë për pushtetin, për fuqitë e mëdha, por ka edhe nga ato fuqi që jane ‘fuqi e butë’, e atyre që prodhojnë modë, që prodhojnë kulturë, art, ushqim te mire. Italia është padyshim numri një i kesaj fuqie. Mënyra sesi impakton botën me të bukurën, me të mirën, me estetikën, është gjithashtu një fuqi që lë pershtypje në botë, dhe magnetizon kulturat e tjera”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se është fat që të kesh fqinje të mirë, që “injektojne” art e kulturë dhe jo luftë.
“Është shumë e rëndësishme kush janë fqinjët e tu. Ti mund të kesh një fqinj që do të të pushtojë dhe të të sundojë, ose mund të kesh një fqinj që të impakton me të bukurën, me estetikën, me artin, me kulturën, me shijen, dhe të kultivon të gjitha gjërat që vlerësojmë në jetë. Besoj se prania e Elisabetta Franchit në Tiranë është ekzaktësisht një injektim i kësaj fuqisë së butë. E bukura ka fuqi për ta transformuar një qytet, apo një vend”, përfundoi Veliaj.
Stilistja Elisabetta Franchi tha se është e lumtur që ndodhet në Tiranë, ku tha se ka një ngjashmëri të madhe me vendin e saj, Italinë.
“Gjeta këtu njerëz karakterialisht të ngjashëm, pasi ju ngjani shumë me ne italianët. Keni shpirt dhe buzëqeshje të bukur. Tirana është shumë e bukur. Klima është fantastike”, nënvizoi ikona e modës.