Stoltenberg takim urgjent me Blinken: Sulmi në centralin bërthamor pamaturi e Rusisë. Lufta duhet të marrë fund!
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, reagon pas sulmit të trupave ruse mbi centralin më të madh bërthamor të Evropës, në qytetin Zaporizhzhia të Ukrainës.
Menjëherë pas sulmit, ku trupat ruse tashmë kanë marrë nën kontroll centralin, shefi i NATO-s ka zhvilluar një takim me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe ka dënuar veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës, përfshirë edhe sulmin e fundit në centralin bërthamor.
“Ne dënojmë sulmet ndaj civilëve. Gjatë natës kemi parë gjithashtu sulmin ndaj centralit bërthamor. Kjo thjesht tregon pamaturinë e kësaj lufte dhe rëndësinë e përfundimit të saj, ku Rusia duhet të tërheqë trupat dhe të angazhohet me mirëbesim në zgjidhjen e situatës në rrugë diplomatike”, ka thënë Stoltenberg.
Takimi mes Stoltenberg dhe Blinken është bërë para nisjes së takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të NATO-s.